Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se ndjen keqardhje për rastin tragjik që ka ndodhur në Gjilan dhe ku është e përfshirë edhe një zyrtare policore. V. Bllaca, një punonjëse e policisë, vrau prindërit e saj, dy vëllezërit dhe më pas veten.

“Fatkeqësisht dje e kemi pas një rast shumë të rëndë dhe të ndjeshëm. Në Gjilan dje është shuar një familje – pesë anëtarë të një familje që nuk jetojnë më. Në mesin e këtyre pesë anëtarëve të një familje është një police e Policisë së Kosovës e cila ka punuar së fundmi në Stacionin Policor në Gjilan dhe e cila e dimë sigurt që ka bërë vetëvrasje dje rreth orës 12:40 gjatë ditës”, është shprehur Qalaj, ku më pas ka folur dhe për pistat kryesore ku po hetohet në lidhje me rastin.

“Drejtoria e Krimeve të Rënda është duke e hetuar rastin nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan. Mund të them që njëra nga të dyshuarat apo e dyshuara kryesore është zyrtarja policore, mirëpo duhet të presim të gjitha ekzaminimet që i bën Njësiti i Forenzikës në vendin e ngjarjes dhe hetimet nga Drejtoria e Krimeve të Rënda.

Është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes, janë marrë të gjitha evidencat që duhet të merren. Duhet që elementet që janë marrë nga vendi i ngjarjes dhe rezultatet që dalin nga obduksioni i Mjekësisë Ligjore të na përputhen në mënyrë që të bëjmë një konstatim. Atë që mund të them lirisht është se dyshimet tona janë që të katër anëtarët e familjes dyshohet që janë vrarë në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje gjatë pjesës së parë të ditës”, tha Qalaj.

Ai theksoi se ka dëshmi që Bllaca ishte në shoqëri të familjarëve të saj në një nga lokalet në Gjilan, pak para se të vriste veten.

“Pastaj është kthyer në shtëpi e shoqëruar nga disa familjarë – tezja dhe djali i tezes. Për një moment është larguar nga familjarët, është futur brenda në shtëpi dhe familjarët kanë dëgjuar dy shkrepje të armëve. Në atë moment, ata e kanë thirrë policinë. Reagimi i Policisë ka qenë shumë i shpejtë dhe  është konstatuar se zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje dhe në atë shtëpi kanë qenë edhe katër trupa të anëtarëve të familjes Bllaca nga Gjilani”, shtoi ai.