Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i kërkon Komisionit të Venecias lidhje me kompetencat e Presidentit të Kosovës në shpërndarjen e Kuvendit dhe në kompetencat e tij për propozimin e mandatarit për Kryeministër të vendit, pas mocionit të suksesshëm të mos-besimit.

Siç thuhet në njoftimin nga Zyra për informim e Kryeministrit, në linjë me situatën e krijuar në Kosovë, një opinion nga Komisioni i Venecias do të shërbente në forcimin e demokracisë dhe të së drejtës kushtetuese.

“Gjithashtu, një vlerësim nga Komisioni do të kishte vlerë substanciale jo vetëm për Kosovën, por gjithashtu në mënyrë më të përgjithshme edhe për praktikën kushtetuese në të gjitha shtetet anëtare në Komision”, thuhet në njoftim.

Eshtë hera e parë që Kosova dërgon kërkesë për opinion në Komisionin e Venecias, në lidhje me raportin e institucioneve kushtetuese dhe kompetencat e tyre.

Gjykata Kushtetuese vendosi të premtën masë të përkohshme deri më 29 maj duke pezulluar deri në një vendim të plotë dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Thaçi dekretoi Avdullah Hotin të enjten, menjëherë pas kësaj, Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Thaçit dhe duke kërkuar vendosjen e masës së përkohshme për pezullimin e zbatimit të dekretit