Vazhdon çorba politike në Kosovë/ Ja nisma e re e VV-s

Lëvizja Vetëvendosje do të fillojë ditën e sotme me mbledhjen e firmave për peticionin që ka kërkesë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

VV bën të ditur se qytetarët mund të japin nënshkrimet e tyre nga ora 10:00 deri në orën 18:00 në sheshin Nënë Terezë në Prishtinë, dhe ky aktivitet do të mbahet duke respektuar distancën dhe të gjitha masat për luftimin e COVID-19

Teksa kjo forcë politike kërkon zgjedhje të reja, Kuvendi i Kosovës ka vendosur të mbajë të mërkurën (3 qershor) seancën për votimin e qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hotin nga radhët e LDK-së. Seanca e jashtëzakonshme u thirr një ditë më parë nga deputetët e Lidhjes Demokratike, partitë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe ajo minoritare serbe.

Pas mbledhjes së kryesisë parlamentare, shefi i grupit të LDK-së, Arben Gashi, u deklarua i bindur se ekipi i tij politik do i sigurojë votat e mjaftueshme.

Më herët Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga Gjykata Kushtuese që ofrojë të gjitha dokumentet, duke përfshirë edhe procesverbalet dhe transkriptet që pasqyrojnë procesin e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi. Kryeministri në detyrë i Kosovës e ka cilësuar si të papranueshëm vendimin e Kushtetueses.