Presidenti Ilir Meta shpall “non grata” ambasadorin e OSBE-së

“U tregoi gishtin shqiptarëve dhe vuri në diskutim dekretin”, OSBE reagon për vendimin e Metës pasi shpalli ‘non grata’ Borchardt

Pasi presidenti Ilir Meta e shpalli si të padëshiruar në zyrën e tij, ka ardhur edhe reagimi i parë nga zyra qendrore e OSBE-së në Vienë.

Përgjigja nuk është e drejtpërdrejtë, por thuhet se OSBE e mban shënim këtë notë verbale lëshuar nga zyra e presidentit.

“OSBE e mban shënim këtë notë verbale lëshuar nga zyra e presidentit. Për aq kohë sa ne qëndrojmë partnerë të Shqipërisë, OSBE inkurajon dialogun dhe bashkëpunimin me institucionet shqiptare, e po ashtu mbetet e vendosur në ofrimin e ndihmës specifike, në avancimin e axhendës së vendit”, ka thënë zëdhënësja e OSBE, Mersiha Čaušević Podžić, për Top Channel.

Presidenti Meta e shpalli ‘non grata’ ambasadorin e OSBE me pretendimin se “Bernd Borchardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajt qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë, nuk është i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës”.