Marrëveshja mbi

Donald Trump i ka thënë Theresa Mayt se ajo duhet të padisë Bashkimin Europian dhe jo të negociojë me të. Këtë e pranon vet kryeministrja britanike për BBC-në.

Të premten, presidenti amerikan tha në një konferencë të përbashkët për shtyp se, i kishte dhënë bashkëbisedueses së tij një sugjerim, por ajo e kishte konsideruar shumë të ashpër.

I pyetur nga BBC-ja se cili ishte ky sugjerim, May u përgjigj:

“Më tha se duhet të padisja BE-në dhe jo të negocioja me të”.

May, sidoqoftë i doli në mbrojtje planit të saj për “Brexit”-in dhe u kërkoi kritikëve ta mbështesnin atë.

Ajo tha se plani do ta lejonte Britaninë e Madhe të lidhte marrëveshje tregtare me vende të tjera, do t’i jepte fund lëvizjes së lirë të njerëzve dhe juridiksionit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Një dokument i publikuar të enjten përmblidhte detajet e marrëveshjes së arritur nga kabineti në lidhje me mënyrën sesi do të funksiononte tregtia pas “Brexit”-it.

Para se dokumenti të bëhej publik, Sekretari për “Brexit”-in, David Davis, si dhe Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, dhanë dorëheqjen, duke thënë se ai nuk përfaqësonte atë për çfarë populli britanik kishte votuar në referendumin e vitit 2016.