Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar lidhur me tragjedinë që preku mëngjesin e sotëm familjen Tolaj në Bulqizë, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit humbi jetën nëna me dy fëmijët e saj.

“Me tronditje dhe dhimbje ndoqa lajmin për tragjedinë në Ostren të Bulqizës ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj. Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen Tolaj dhe uroj shërim të shpejtë vajzës tjetër të familjes që po merr ndihmën mjekësore”, shkruan Basha.

Rrjedhja e bombulës së gazit ka ndodhur në fshatin Ostren, ndërkohë që dhe gjendja e të plagosurës paraqitet e rëndë.

Mjekët e Bulqizës po kërkojnë ndihmën nga ajri, për ti dhënë ndihmën mjekësore të specializuar në Tiranë vajzës që ka mbetur e plagosur. Fshati ndodhet rreth një orë larg nga Bulqiza, dhe kjo ka bërë që ndërhyrja të vonojë.

Burime bëjnë me dije se rrjedhja e bombulës së gazit ka ndodhur në banesën e Ylber Tolës, ndërsa nuk dihet ende identitetet e plota të personave që kanë mbetur viktimë nga kjo ngjarje me përmasa të rënda.

Policia ka dhënë vetëm moshën e nënës, e cila është 40 vjeç.

Burime bëjnë me dije se vajza që ka vdekur ka qenë 17-vjeç, djali 13 vjeç, ndërkohë që vajza që ka mbetur e plagosur është vetëm 8 vjeç.

Njoftimi paraprak i policisë për ngjarjen:

Në Ostren, Bulqizë, është marrë informacion se në banesë janë gjetur pa shenja jete shtetasja R.T, rreth 40 vjeçe, dhe dy fëmijët e saj (vajza dhe djali), që dyshohet se janë helmuar nga bombola gazit.

Në gjendje të rëndë shëndetësore është dhe një pjestar tjetër i familjes ku po transportohet për në spital.

Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.