Tirana e Emanuel Egbo është thjeshtë e papërmbajtshme. Derbi i kryeqytetit u vesh edhe njëherë tjetër me ngjyrat bardheblu, për herë të dytë radhazi. Në Air Albania në praninë e një numri rekord shikuesish plot 19 mijë er 511 tifozë, Tirana fitoi me rezultatin e thellë 5-1 një përmbysje një ndeshje që nisi në mënyrën më të mirë për Partizanin, por në fund të kuqtë e Sormanit u dorëzuan pa kushte duke pësuar një disfatë me 4 gola diferencë që nuk e pësonin ndaj bardhebluve që nga viti i largët 2005. Tirana në këtë sfidë nxorri mllefin e gjithë atyre viteve pa fitore duke shpartalluar Partizanin me një brëshëri golash dhe duke regjistruar fitoren e 9-të në 10 takime me Egbon në stol në Superiore. Tashmë diferenca me Partizanin në klasifikim është 9 pikë dhe shkurorëzimi i të kuqëve është vërtetë, me titullin që do të diskutohet me siguri mes Tiranës dhe Kukësit. Në Air Albania sfida me një gol spektakolar të brazilianit Ëilliam Cordeiro që pa u mbushur ende dy minuta lojë kaloi në epërsi të kuqtë me një goditje fluturimthi nga distanca.

Gjithsesi momenti kyç i kësaj sfide ishte minuta e 13-të kur pas një gafe në mbrojtjen e Partizanin, Bitri mbajti me duar brenda zone, Torassën me gjyqtarin Juxhin Xhaja që akordoi 11-metërsh për bardheblutë dhe nxorri nga fusha me karton të kuq mbrojtësin e Partizanit. Nga pika e bardhë përballë tifozëve ultras të Tiranës Batha nuk gaboi duke barazuar shifrat. Pak minuta më vonë bardheblutë fituan një tjetër penallti me Telushin që ndërhyri ashpër në zonë ndaj Elton Cale. Batha u tregua edhe njëherë tjetër i saktë duke kaluar në epërsi skuadrën e Egbo-së.

Me Partizanin që e kishte të pamundur të reagonte me një futbollist më pak Tirana shënoi edhe të tretin në minutën e 63-të me Idrizajn që shënoi një autogol të çuditshëm. Në minutën e 76-të në vend të Michael Ngoo, Egbo hodhi në fushë sulmuesin e talentuar Ernest Muçi që në minutën e 82-të shënoi edhe golin e 4-t për Tiranën pas një topi të kthyer nga Hoxha që ndali goditjen e Torassës. Pikërisht mesfushori argjentinas për një ndërhyrje të rëndë me takat e ngritura ndaj Idrizajt u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 88-të duke barazuar forcat në fushë. Si kartolinë për këtë fitore madhështore të Tiranës duhej edhe një gol spektakolar që erdhi nga Ernest Muçi që ekzekutoi mjeshtërisht një goditje standarte në të 91-ën duke i çuar shifrat në 5-1. Me këtë fitore Tirana u ngjit në kuotën e 47 pikëve, ndërsa Partizani pas javës së 24-t mbetet në kuotën e 38 të tillave.