Apeli i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore/ Ta restaurojmë godinën sepse është e rrallë

 

Teatri është arena ku jeta dhe vdekja artistikisht puthen, ecin për dore, ndahen, dashurohen, prodhojnë drama, tragjedi, urrejtje, simpati, sfida, dështime, fitore, para një spektatori që në fund, i ndikuar nga efekti katartik, çlirohet nga e keqja dhe është në dalje më i virtytshëm se në hyrje.

Ky procesion artistik vazhdon që nga lashtësia, duke i dhënë Teatrit një pamje pothuaj tempullore. Brenda tij ekzistojnë në eter shpirtra karakteresh të spikatur, vërtiten në memorie lojëra aktoriale emblematike dhe pjesë teatrore të paharruara që kanë shënuar historinë dhe i kanë dhënë memorie kohës.

Vënia dorë mbi këta tempuj artistikë për t’i hequr atyre shpirtin, i ngjason një herezie, një vandalizmi barbarësh modernë. Zbulimet e amfiteatrove në Greqi e kudo u konsideruan si më të rendësishmet. Shumë vende i ruajnë teatrot e tyre qindra vjeçarë dhe i mirëmbajnë si dëshmi e simbole të ndriçimit artistik të kombeve të tyre. Kultura e vetë Evropës ka si stacione kryesore dhe ngritjen e Teatrove, përfshi për lumturinë tonë dhe Teatrin Kombëtar, i shpallur pjesë e Europa Nostra. Asgjësimi i tij do të ishte një pikë e zezë në hartën e kulturës Evropiane dhe një fikje e një rrugëtimi kulturor me vlera të pathëna.
Por babëzia e kastës që drejton vendin nuk po ndalet në ëndrrën e pasurimit, duke shembur “me një të rënë të lapsit” Teatrin Kombëtar.

Dashje pa dashje, tashmë në sheshin e sallat e tij, po luhet drama me reale e Jetës dhe e Vdekjes. Krejt e ndryshme nga ajo çka ai ka parë me sy në këto dhjetra vite. Dhe shfaqja është e pazakontë. Artistët që mbrojnë jetën e Teatrin, kundrejt vdekjes që imponon Rama-Veliaj, nuk janë më në rol, por në jetën reale. Përplasja demokraci-regjim, opozitë-pushtet, nuk është më një kolizion dramatik si pjesë e akteve skenikë, por është një luftë e vërtetë për jetë a vdekje. Aty i përjeton të gjitha: pështirosjen për pushtetin, neverinë për puthadorët e regjimit, respektin për kurajon e artistëve, admirim për qëndresën e njërëzve e respektin për alternativën opozitare.

Sheh se si antivlerat rrëzohen para mureve të sallave imponuese dhe se si vesi i hajdutërisë, grabitjes, mashtrimit, kapitullon para sinqeritet të kauzës të vjetër sa vetë arti. Spektatori nuk rri më e vështron. Ai është pjesë e shfaqes-betejë. Në pjesën dërrmuese opinioniste dhe fizike pjesëmarrëse, ai mbron jetën, teatrin, demokracinë, alternativën kundër vdekjes, dhunës, arbitraritetit, korrupsionit masiv qeverisës.
Kampet janë formatuar dhe beteja do të arrijë kulmin në orët në vazhdim. Në një anë qëndron makutëria e barabaria moderne, e ngjeshur deri në dhëmbë me armatim, gazlotjellës, me makineri shtypëse shembëse e hedhëse, plumba plastikë e jo plastikë, me qeveritarë qesharakë që aktrojnë të fortët e të fortë që pështyjnë mbi uniformën e shtetit. Kjo është ushtria e vdekjes.

Në anën tjetër përballë është e vërteta e thjeshtë, me artistë të mëdhej që sillen si qytetarë të përgjegjshëm, me opozitë qytetare që di të mbajë anën e vlerave, të armatosur me të drejtën, virtytin, atdhedashurinë dhe pasionin për të bukurën dhe lirinë. Kjo është vetë jeta. Përballja nuk është e lehtë. Pushteti i kalbur me ushtrinë e vdekjes, kërkon me domosdo të zgjasë agoninë e tij. Kërkon të afirmojë regjimin e ri, duke imponuar arkitekturën e re dhe duke u pasuruar përbindshëm mbi vlerat kulturore e historike. Bashkë me historinë e trashëgiminë ai do të varrosë dhe atë dritë demokracie e cila ende është gjallë.

Sot ai po imponon një betejë të pabarabartë nën terror, si e si të uzurpojë, gllabërojë e të sundojë. I gjendur nën disfatë, Rama po kërkon një betejë për të rikuperuar humbjen e sigurtë dhe nga ku më pas të nis revashin e rrëmbimit të një tjetër mandati politik.
Por instikti i ruajtjes së llojit të pushtetit ka brenda dhe tërheqjen e pashmnagshme drejt thanatos-it, një lloj vrapimi ky pas fundit. Jeta me njerëzit e saj, po përballet dhe do luftojë me vdekjen më nga afër se kurrë, pa klishetë e skenës dhe pa parzmoret false.

Aleancës së teatrit me opozitën qytetare, i duhet të realizojë në ndeshje me perandorinë e krimit e së keqes, Vaterlonë e saj e të ngulë mbi vdekjen-regjim e flamurin e triumfit.
Teatri është fushë beteja, ku jeta dhe vdekja vendosin fatin e tyre. Prandaj kjo është lufta për jetë a vdekje. Luftë për demokraci, kundër regjimit shtypës, policor dhe absurd.

NGA: Luçiano Boçi