Rastet e familjeve që jetojnë në varfëri ekstreme janë të shumta, por kur skamjes i shtohet edhe sëmundja, gjithçka kalon në ekstrem. E tillë është familja Shpata nga fshati Zgosht në Librazhd. Fatkeqësisht të 5 anëtarët e familjes , dy prindërit dhe 3 fëmijët janë të sëmurë. Në këto kushte e kanë të pamundur të punojnë, ndaj ushqehen me të ardhurat që marrin nga kempi. Fatkeqësisht nuk u dalin pasi një pjesë u nevojitet për medikamente. Ushqehen dhe vishen mese të mundin, por mbi kokë nuk kanë një strehë të sigurtë. Banesa thuajse e rrënuar rrezikon të shembet nga momenti në moment. Aftësia e kufizuar bën që prindërit e fëmijëve të sëmurë, dy të medhenjtë vuajnë nga epilepsia dhe i vogli nga autizmi të mos përzgjedhin fjalët e duhura për të përshkruar problemet që kanë. Por pamjet rreth tyre flasin vetë. Madje edhe në sytë e të vegjëlve lexohet apeli për ndihmë.

Disa herë fqinjët i janë gjendur pranë dhe i kanë ndihmuar mesa kanë mundur. Por zemergjerësia e tyre nuk ka mjaftuar për ti nxjerrë nga varfëria. Familja Shpata ka nevojë për një shtëpi të sigurtë pasi dimri po afron, dhe dimri në Zgosht është i ashpër. Tavani që mezor ndalon depërtimin e rrezeve të diellit nuk mundet kurësesi ti mbrojë nga dëbora.

Rasti i familjes Shpata është një apel për të gjithë ata persona të cilët kanë mundësi sadopak për t’ju ardhur në ndihmë, me qëllim që ata të përballojnë sëmundjet që u kanë rënë për pjesë, por që të ndodhë kjo u duhet një shtëpi , sado modeste qoftë ajo.