Nga Ilir Çopja

Të drejtat politike janë të drejta të pandashme të njeriut. Sipas Aristotelit, “Njeriu është kafshë politike” duke shprehur lidhjen e fortë midis njeriut dhe qenies së tij politike. Kjo vlen edhe për Personat me Aftësi të Kufizuara. Stereotipi se ata nuk interesohen për politikën është plotësisht i pavërtetë. Personat me Aftësi të Kufizuara interesohen për politikën njësoj si çdo qytetar me liri dhe të drejta. Ku parashtrohen të drejtat politike për Personat me Aftësi të Kufizuara?

Të drejtat politike janë të sanksionuara në Konventën për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Ajo thekson se Personat me Aftësi të Kufizuara kanë të njëjtat të drejta si çdo qenie njerëzore. Sipas Nenit 29 “Personat me Aftësi të Kufizuara kanë të drejtë të marrin pjesë në politikë dhe në zgjedhje. A pasqyrohet ky nen i Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në legjislacinin shqiptar?

Parimet e Nenit 29 të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, janë mishëruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Pjesën e dytë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, Kreu III “Liritë dhe të drejtat politike”. Neni 45 i kushtetutës pika 1 thekson: “Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet.”. Ky nen i kushtetutës i njeh të drejtën edhe Personave me Aftësi të Kufizuara në moshë madhore, të zgjedhin dhe të zgjidhen. Po si parashikohet ushtrimi i të drejtës së votës nga Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara?

Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, e cila për tu theksuar prevalon mbi ligjet vendase në hierarki juridike në nenin 12 thekson “Të pranohen vendimet që marrin Personat me Aftësi të Kufizuara”. Ky nen gjithashtu u njeh të drejtën që ata duhet të asistohen për të marrë vendime. Marrja e vendimeve me ndihmë quhet vendimmarrje e mbështetur. Siç theksohet më sipër, Personat me Aftësi të Kufizuara duhet të ndihmohen në rast se ata e kërkojnë këtë asistencë, por kurrësesi nuk mund të ushtrohet ndikim mbi ta, tu tjetërsohet vota apo pikëpamjet politike, veprime këto të papranueshme ligjërisht e moralisht. Personat me Aftësi të Kufizuara duhet të jenë të lirë të marrin vendimet e tyre, dhe të mos kërcënohen apo pengohen të ushtrojnë të drejtat e tyre politike si pjesë e të drejtave të njeriut. A parashikohet votimi i personave me aftësi të kufizuara në kodin zgjedhor shqiptar?

Po, është e parashikuar në Nenin 108 të Kodit Zgjedhor. Në pikën 1. Zgjedhësi, që për arsye fizike nuk është në gjendje të kryejë vetë procedurat e votimit, mund të kërkojë ndihmën e një familjari ose zgjedhësi tjetër, që është në listën e zgjedhësve të asaj zone të qendrës së votimit. Të dy zgjedhësit duhet të jenë të pranishëm. Pika 6 e këtij neni bën “rregullimin” e votimit të Personave me Aftësi të Kufizuara “Brenda periudhës së rishikimit të listave të zgjedhësve, zgjedhësit e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni kanë të drejtë t’i kërkojnë kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore, që përgatit listën e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit, regjistrimin e tyre si zgjedhës që nuk mund të votojnë vetë. Kërkesa për regjistrim shoqërohet me dokumentacionin zyrtar që provon llojin dhe kategorinë e paaftësisë. Regjistrimi si zgjedhës që nuk mund të votojë vetë, bëhet për të lehtësuar votimin e këtyre zgjedhësve në qendrën e votimit kur përdoret kjo procedurë”. Pikat e këtij neni, të cilat, janë në përputhje me nenin 12 të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara janë drita jeshile për ata që të ushtrojnë të drejtën e votës si qytetarët në Europën Perëndimore, SHBA e kudo tjetër. A mjafton vetëm ky nen i kodit zgjedhor për ti bërë personat me aftësi të kufizuara të ndihen të barabartë në mundësi?

Fatkeqësisht jo. Pengesat kryesore janë informimi dhe aksesueshmëria, përtej përmbajtjeve ligjore të cilat, rregullojnë këtë proces. Personat përgjegjës për administrimin e procesit të votimit janë figura politike dhe në më të shumtën e rasteve janë të painformuar mbi votimin e Personave me Aftësi të Kufizuara. Aksesueshmëria është një problem madhor sidomos kur dalim jashtë kryeqytetit. Në zona të tëra zgjedhore qendrat e votimit, janë në ambjente të papërshtatshme, pa sinjalistikën e duhur dhe me bazë materiale të munguar.

Një raport i OSBE-ODHIR në vitin 2017 ka theksuar se: “Personat me Aftësi të Kufizuara, mund të marrin pjesë në të gjitha fazat e procesit të votimit”. Ata dhanë disa rekomandime ku ndër më kryesorët ishin: Informacioni rreth zgjedhjeve të servirej në të gjitha format, në mënyrë që të kuptohej nga të gjithë Personat me Aftësi të Kufizuara, takimet elektorale të zhvilloheshin në ambjente ku të ishin të aksesueshme nga të gjithë. Kjo vlen edhe për qendrat e votimit dhe administrimit të votave. Pse është kaq e rëndësishme vota dhe pjesëmarrja në votime e Personave me Aftësi të Kufizuara?

Rekomandimet e dhëna nga OSBE-ODHIR duhet të zbatohen e jo thjesht të lexohen. Ato janë jetike për ushtrimin e të drejtës së votës së Personave me Aftësi të Kufizuara. Këto do mundësonin votimin në mënyrë të pavarur dhe larg çdo lloj presioni apo varësie të Personave me Aftësi të Kufizuara. Udhëzimet janë të nevojshme të zbatohen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, e jo vetëm brenda vijës së verdhë të Tiranës. Çdo Personi me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Shqipërisë, duhet ti mundësohen kushtet të ushtrojë në mënyrë të pavarur të drejtën e votës aty ku ai jeton. Kjo është baza që do i hapte rrugën e përfaqësimit politik të tyre dhe pjesëmarrjes në të gjitha hallkat e procesit zgjedhor,

Personat me Aftësi të Kufizuara, janë qytetarë me të drejta të plota. Sipas statistikave të fundit, ata janë afro 180 mijë persona, një elektorat thuajse i barabartë me atë të rajonit të Elbasanit. Për këtë arsye, mendimi i tyre i shprehur me votë vlen, duhet të numërohet e të mos tjetërsohet. Sic parashikohet nga rekomandimet e OSBE-ODHIR duhet të stimulohet krijimi i kushteve për votim të pavarur dhe reduktim gjithmonë e më të madh të votimit me mbështetje. Si është përfaqësimi i Personave në Aftësi të Kufizuara në nivele të larta të politikës?

Sot nuk kemi asnjë përfaqësues në organin më të rëndësishëm të shtetit shqiptar, në parliament që të jetë nga grupi i Personave me Aftësi të Kufizuara. Defakto nuk ka asnjë përfaqësues, që të mbrojë interesin e këtij komuniteti dhe të flasë në emër të tyre. Ndërkaq ata paguajnë taksat dhe detyrimet si qytetarët e tjerë. Siç theksohet që nga koha e Kartës së Madhe të Lirive, më 1215, “Nuk ka taksë pa përfaqësim”. Siç përmendet më sipër, për nga numri Personave me Aftësi të Kufizuara u takon afërsisht i njejti numër deputetësh që prodhon rajoni i Elbasanit, çka do u mundësonte të kishin grupin e tyre parlamentar. Me një grup të tillë deputetësh Personat me Aftësi të Kufizuara do të ishin faktor qeverisës Ata do mund të kishin përfaqësim në rang ministrish, zëvëndësministrish, drejtorë drejtorish, komisione ligjesh etj. Realiteti është i hidhur sepse përfaqësimi aktual është vetëm me një zëvendësministër.

Përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin vazhdojnë. Fushata “Asgjë për ne pa ne” për përfshirjen e Personave me Aftësi të Kufizuara në marrjen e vendimeve të rëndësishme për çështje që lidhen me aftësinë e kufizuar. Kjo shërben si një mesazh direkt ndaj politikës shqiptare. Personat me Aftësi të Kufizuara kërkojnë dhe meritojnë të jenë hartuesit e politikave në mbrojtje të interesave të tyre. Kërkesat e Personave me Aftësi të Kufizuara, duhet të jenë pjesë e programeve politike dhe qeverisëse. Ata përfaqësojnë një nga grupet e interesit më të mëdha në numër dhe partitë politike nuk mund të mos i konsiderojnë këto kërkesa në rast se do të donin votën e këtij komuniteti

Tashmë me kërkesa të qarta për prorgame gjithëpërfshirëse, partitë politke dhe kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021, duhet të kenë parasysh peshën dhe rendësinë e përfaqësimit të Personave me Aftësi të Kufizura dhe të famijarëve të tyre për përfaqëim të denjë dhe në nivele të larta të shoqërisë.

Kërkesat e Personave me Aftësi të Kufizuara janë të drejtpërdrejta për cilësinë e jetesës dhe mirëqenies së tyre. Ato bazohen në katër shtylla kryesore: Arsim gjithëpërfshirës, Punësim, Shërbime publike dhe Përfaqësim politik. Arsimi gjithëpërfshirës dhe punësimi kanë kohë që janë pjesë e legjislacionit për sistemin arsimor dhe atë të punës. Në këtë kuadër është e nevojshme zbatimi i legjislacionit ekzistues në të gjithë territorin. Shtimi i kurseve profesionale, gjuhëve të huaja për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe zbatimi i përshtatshmërisë së vendit të punës do ti bënte ata konkurues në tregun e punës. Rritja e asksesueshmërisë së shërbimeve publike dhe përmirësimi i infrastrukturës është jetike, që Personat me Aftësi të Kufizuara të jetojnë të pavarur. Realizimi i këtyre pikave do i hapte rrugën angazhimit të tyre politik. Për të gjithë rëndëinë që ka ky proces, pjesëmarrja në votime e Personave me Aftësi të Kufizuara, dhe mundësia për të qenë të barabartë, do të sillte një fillim të ri për këtë grup individësh të shoqërisë në jetën dhe përfaqësimin politik të vendit.