Si nisi dhe u mbyll dashuria e Jonida Maliqit me Romeon

HISTORIA VIP QË U MBAJT FILLIMISHT SEKRET, SI NISI DHE U MBYLL “LOVE STORY” E JONIDËS ME ROMEON

Kjo “love story” showbizzi nisi me dashuri dhe u mbyll brenda vitit 2019, për t’u rikthyer në krahët e njëri-tjetrit më të dashuruar se kurrë në 2020, në mbyllje të të cilit edhe lidhja u mbyll.

Po si u zbulua historia e Jonida Maliqit dhe Romeo Veshajt, pasi u mbajt sekret për shumë kohë? Në 2019-ën, ish-aktori i “Al Pazar”, Romeo Veshaj, postoi në “Instagram” foton duke udhëtuar me një vajzë, që ia mbulonte fytyrën me emoji. Puzzle-i i fotos romantike u plotësua nga këngëtarja, e cila u shfaq me të njëjtin kostum në foton me të. Kjo lojë postimesh u pasua nga një tjetër foto më domethënëse e Romeos, ku pozonin të mbështetur në mur dhe shkruante “Mision i mundur 9”, shoqëruar me disa zemra të Jonidës.

Në fillim, çifti bëri një lojë të vërtetë me ndjekësit, për të zbuluar pak nga pak momente nga lidhja e tyre romantike. Jonida dhe Romeo po përfliteshin se ishin në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i ”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në “Eurosong”, por edhe se ishin parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës.

Disa ditë pas publikimit të lajmit, Jonida, me kthimin nga Tel Aviv ku përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Europian, u shpreh: “Jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të pranimit. Ndërsa Romeo konfirmimin e tij e bëri me foton që fliste sa një mijë fjalë. Ai vendosi të merrte vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë, gati për udhëtimin romantik në çift.

Pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Maliqi hyri në një episod të ri në jetën e saj. Fjalët për fillimin e lidhjes me Romeo Veshajn filluan të qarkullonin gjatë muajit nëntor 2018. Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi.

Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram” si Jonida, ashtu dhe Romeo. Gjatë muajve në vazhdim, ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës.

Nuk vonoi dhe Romeo iu rikthye sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit e për ta vazhduar quizz-in me median për të zbuluar vajzën misterioze, me të cilën ai po shoqërohej. Më pas ata postonin shumë foto e video, duke u kthye në çiftin më simpatik e më të ndjekur në rrjetet sociale. E ndërkohë që Jonida ka deklaruar në emisionin e saj se ia vlen të duash veten pikësëpari, le të presim edhe deklaratën e Romeos, pas këtij Shën Valentini ndryshe. Panorama