Shtete myslimane bojkotojne produktet franceze

Deklaratat e presidentit Emmanuel Macron për t’i shpallur luftë separatizmit islamik në Francë kanë acaruar raportet diplomatike me vendet me shumicë myslimane.

Zyrtarisht por edhe institucionalisht, aktorë politikë dhe shoqata në shtetet si Algjeria, Maroku, Libia apo Siri, denoncuan të dielën vendimin e kreut të shtetit dhe të medieve për të ripublikuar karikaturat e profetit Muhamed dhe për t’i projektuar ato në fasadat e godinave.

Makroni tha se feja islame është në krizë kudo dhe se në Francë duhet ndërhyrë për ta çliruar atë nga influencat e huaja, për të mbikëqyrur xhamitë dhe shoqatat që e predikojnë dhe për të rregulluar me ligj kufizimin e besimit në shkolla dhe në zyrat publike.

Të dielën, nga Magrebi në Lindjen e Mesme u mbajtën manifestime kundër Francës.

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, dhe kryediplomati i Jordanisë, akuzuan shefin e Elizesë se me sulmet ndaj islamit po çon pashmangshmërisht drejt radikalizimit të situatës; në Irak, deklaratat e Makronit u konsideruan fyerje për 1 miliard e gjysmë besimtarë myslimanë; ndërsa në Kuvajt, Katar, Palestinë, në Arabinë Saudite dhe në Turqi, rrjetet sociale shpërthyen me mesazhe kundër shërbimit të produkteve franceze në dyqane.

I ashpër u tregua në fundjavë edhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

“Ajo që mund t’i themi një kryetari shteti që i trajton në mënyrë të tillë miliona pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme fetare është që të kontrollojë shëndetin mendor. E ka humbur udhën. Natë e ditë flet vetëm kundër Erdoanit. Duhet realisht të kontrollohet.”

Qëndrimi i Erdoganit u kritikua nga diplomacia franceze, ndërsa i bëri thirrje vendeve arabe të heqin dorë nga bojkotimi i produkteve të vendit dhe të sigurojnë mbrojtjen e shtetasve francezë që jetojnë në territoret e tyre.

Retorika e Francës është ashpërsuar ndaj islamizmit në javët e fundit pas vrasjes së një mësuesi që u ekzekutua nga një radikal islamik për shfaqjen para nxënësve të karikaturave ironike të profetit mysliman, Muhamedit.