Rudinë, të rritën shpejt dhe të hodhën si një facoletë

Herë pas here gjej kohën edhe të shkruaj mendimet e mija rreth situatës politike në vend. Më shumë se shkrime, ndonjëherë duken si “dufe” personale ndaj aktorëve politik, madje madje ndaj mjedisit politik shqiptar.

Pak më herët mediat, ato që Rama ka kohë që nuk i thërret më kazane, publikuan se opozita parlamentare ka kërkuar dhe do të takohet përsëdyti me kryeministrin. Jo për hallet e shqiptarëve, kurrsesi jo, por për “pazarin politik” ku në këmbim do votohet Reforma Zgjedhore.

Natyra opozitare, madje dhe në opozitë me opozitën parlamentare, më bën ti nxjerr në pah herë pas heret pazarxhinjtë e deputetëve. Nuk më kundërshtoni, sepse ata me të vërtetë janë pazarxhinj politik. Pranuan mandatin, apo edhe ta mbanin disa prej tyre, prej benefiteve financiare dhe politike. Murrizi, meqë ra fjala. Ai “babloku” që me fjalimet e tij, na dukej i sinqertë, edhe mund të jetë, pak muaj më parë ankohej se donte për deputetët kredi të buta. Hallexhinj me 1.5 milionë rrogë mujore e disa qindra mijëra lekë dieta e budalliqe shpenzimesh.

Rudina! Ajo që u rrit si “flutura e majit” brenda një ditë dhe po ashtu u shua sërish. Për çudi edhe ajo në muajin maj. Me gabimet dhe gafat e saj, më shumë fajtorë u bë Basha se vetë Rudina. Madje Spiropalja e Ramës, do kishte propozuar bust për mënyrën se si përballoi shkarkimin e të ëmës nga Vettingu. E pastër si qelibar, Rudina u njollos për pazarin e të ëmës, që Rama nuk e pranoi. Tani “flutura e majit” iu është bashkuar nismës që financohet edhe nga Soros. Është bërë “shoqëri civile”. E besoni ju? U bë vetëm pasi e ëma nuk kaloi vettingun. Rudina do të Rilindë, si flutura e majit dhe fluturojë e lirë mes shoqërisë civile, e ngjizur nga pazari politik.

Nuk mund të lëmë jashtë, “pjeshkën” e opozitës së re, Gjuzin. Më shumë është marrë me ballkone femrash dhe model qethjesh flokësh se me hallet e këtij vendi. Lëre më “deputeten e koporatës” që një zot e di kush e ka futur në lista. Apo Donzhuani i uiskit me fëmrat nuk mbahet mend për tjetër gjë.

Që ta përmbledhim, përveç se pazar këta soj e soje nuk kanë bërë asgjë tjetër. Tani na duan edhe pazarin e rradhës, gjasmë nën emrin e shqiptarëve, që kurrë nuk iu ka interesuar, po i qyrraviten Ramës. Madje, çoç më dëgjuan veshët, po kërcënojnë edhe me djegie mandatesh. Kulmi i paradoksit.

Shqiptar, unë më i zgjuar se ju nuk ma ha mendja të jem, por mos u gënjeni nga babloku i Lushnjes, as nga ”flutura e majit” e aq më keq nga sinqeriteti  i pazarxhinjëve. Ata kurrë nuk e kanë patur interesin tonë, por të tyrin personal. Dhe, tani që ora e salltaneteve po i vjen fundi ata duan të ngjyejnë dorën në mjaltin e korrupsionit qeveritar.