Shqipëria e  Rejas nuk merr dot revanshin ndaj Lituanisë për atë humbje që pësoi një muaj më parë në Air Albania. Kuqezinjtë regjistruan barazimin e dytë radhazi pa gola ndërsa e çuan në 3 numrin e ndeshjeve që nuk shënojnë duke konfirmuar se mungesat e lojtarëve si Cikalleshi, Sadiku, Balaj e Roshi në repartin e avancuar po ndihen ndjeshëm.

 

Në Vilnius në praninë e një numri të konsiderueshëm shikuesish, Lituania dhe Shqipëria barazuan 0-0, në një ndeshje ku kombëtarja jonë luajti më mirë, por eksperimentet e Edy Rejas me formacionin nuk funksionuan as këtë herë. Një pikë që e ngjiti Shqipërinë në kuotën e 5 të tillave në grupin 4 të Ligës C në Ligën e Kombeve po aq sa edhe Lituania.

Në pjesën e parë Shqipëria pretendoi për një 11-metërsh për një prekje evidente të topit me dorë brenda zone, por gjyqtari francez Abed nuk e konsideroi të tillë pasi topi më parë kishte prekur këmbën e mbrojtësit lituanez dhe ju përplas në dorë. Në pjesën e dytë Reja bëri 5 ndryshime duke aktivizuar edhe emra si Vrioni apo Çekiçi, por rezultati nuk ndryshoi.

Berisha bëri kapitenin e vërtetë në minutën e 62-të duke evituar një gol të sigurtë por 3 minuta më pas Shqipëria kishte shansin ideal me të njëjtin futbollist si në Kazakistan, Taulant Seferin i cili edhe këtë herë i vetëm përballë portierit u ndal nga gardiani lituanez. Një tjetër 0-0 për kuqezinjtë të cilët tashmë duhet të mendojnë për sfidat e muajit nëntor.