Numri i viktimave nga koronavirus në Shqipëri ka shkuar në 6. Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar vdekjen e një tjetër pacienteje, të moshës 71 vjeçe, për të cilën shprehet se ishte në terapi intensive dhe e shtruar në Spitalin e Infektivit.

”Gjatë mbrëmjes së sotme ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në spitalin Infektiv, në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçarja me hipertension, e shtruar prej 7 ditësh në spitalin Infektiv, nuk arriti të mbijetojë. 71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri,”- shkruan mw tej ministria.

Harta e të prekurve në Shqipëri është zgjeruar, ku epiqendra e COVID-19 është Tirana, e pas saj vjen Fieri e Korça. Ndërkohë që janë 146 të infektuar, 17 prej të cilëve janë shëruar dhe 6 viktima. Lezha, Shkodra, Vlora, Kavaja e Elbasani janë qytetet e tjera të prekurve. Gjendja e e të shtruarve në pavion është e stabilizuar deri më tani, ndërkohë që autoritetet bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë brenda.