“Saraje” me pagë prokurori, Kolë Hysenaj para Vetingut për pasurinë marramendëse

 

Prokurori i Tiranës, Kolë Hysenaj, mund të jetë personi më i painteresuar për rezultatet e Vetingut ndaj tij, proces që pritet të prezantojë rezultatet të premten e kësaj jave nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Ai, prej vitesh, është shndërruar në një lloj “agjencie imobiliare”, duke realizuar shit-blerje pronash të patundshme, të gjitha të siguruara vetëm nga rroga si prokuror dhe të ardhurat nga një biznes i vogël familjar bar-kafe. Tashmë prokurori i Tiranës, i lindur dhe rritur në zonën piktoreske të Currajt të Epërm të Tropojës, është pronar i një “bujtine” tejet luksoze, në qendër të qytetit të Korçës.

E vetmja llogari që mund të bëjë prokurori Hysenaj, në rast shkarkimi nga Vetingu, është përballja me një hetim penal të mundshëm, për të justifikuar shumëfishimin me progresion gjeometrik të pasurisë së tij, e cila e ka shndërruar ndër një më të kamurit në sistemin e drejtësisë.

Nga “Ollga” te Kola

Në një prodhim kult të Kinostudios “Shqipëria e Re” të vitit 1976, “Teto Ollga”, e luajtur mjeshtërisht nga aktorja Violeta Manushi, ndahet me lot në sy me perdet e shtëpisë në qytetin e Korçës, para se të ndjekë vajzën e saj Meli, e luajtur nga Rajmonda Bulku, e cila ishte emëruar ndihmës-mjeke në fshatin Marenë (Tushemisht).
Shtëpia e “Ollgës”, e vendosur në qendër të qytetit, për shkak edhe të famës që mori nga filmi, ka qenë prej dekadash një vend “pelegrinazhi” në qytetin jug-lindor.

Nuk është e qartë nëse Kolë Hysenaj është afeksionuar me këtë banesë nga filmi apo e ka parë për herë të parë kur u emëruar si drejtues i Prokurorisë së Korçës në vitin 2016.

Megjithatë, ai i vendosi qëllim vetes dhe tashmë e ka pronë të tijën, së bashku me një objekt tjetër, që ndodhet ngjitur me “shtëpinë e Ollgës”.

Të gjithë këtë hapësirë, pasi e ka rikonstruktuar, e ka shndërruar në një ambjent biznesi, një lloj “bujtine”, ndër më luksozet në qendër të qytetit.

Natyrisht, të gjitha këto investime i ka kryer vetëm me pagën si prokuror dhe nga fitimet e transaksioneve të mëhershme me pasuri të patundshme, të përfituara gjithashtu nga rroga në sistemin e drejtësisë.

Për “shtëpinë e Ollgës”, prokurori Hysenaj ka marrë edhe një financim nga Ministria e Kulturës, në kohën që drejtohej nga Mirela Kumbaro.

Vetingu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar se zhvillon seancën për rivlerësimi e prokurorit të Tiranës, Kolë Hysenaj, të premten, datë 18 Shtator 2020. Trupa gjykuese përbëhet nga Pamela Qirko, Olsi Komici dhe Firdes Shuli. Prokurori Kolë Hysenaj, ka nisur jetën e tij familjare me një shtëpi të blerë në vitin 2001 me vlerë 2 milion lekë të reja. Pjesën më të madhe të shumës së paguar, ai e ka marrë borxh tek familjarët, rreth 1.5 milionë lekë të reja. Por, sot, gjithnjë sipas deklaratave të pasurisë, ai rezulton pronar i një toke 1000 m2 në Mullet, të cilat shënon se e ka blerë me vlerë 390 mijë lekë të reja, në vitin 2008.

Gjithashtu, gjatë kohës që ishte drejtues i Prokurorisë së Korçës (në vitet 2016-2017), prokurori Hysenaj investon rreth 130 mijë euro në pasuri të paluajtshme në qendër të qytetit jug-lindor. Burimi kryesor i pasurisë së tij, shënohet të jetë të ardhurat nga paga, si edhe fitimet nga “biznesi i vogël”, lokali rreth 30 m2.
Prokurori Kolë Hysenaj ka qenë një ndër 100 zyrtarët që gjendeshin në “listën e zezë” të kryeministrit Edi Rama, në verën e vitit 2017.
Në atë listë, kryeministri publikoi emrat e zyrtarëve, për të cilët kishte marrë denoncime për përfshirje në veprime korruptive.

Pronar hoteli

Kolë Hysenaj, tashmë është edhe pronar hoteli në Korçë, të cilin e ka blerë dhe rikonstruktuar me të ardhurat e krijuara nga paga si prokuror dhe nga fitimet e një lokali të vogël me qera, të marrë nga bashkëshortja e tij në vitin 2007. Bashkia e Korçës ka konfirmuar zyrtarisht se prokurori Hysenaj dhe bashkëshortja e tij, në korrik 2017, kanë aplikuar për “Rikonstruksion banese (shërbim + banim 2 kate +1 kat shtesë) në rr. ‘Sotir Peci’, paraqitur nga zhvilluesit Kolë Hysenaj dhe D. Hysenaj”.

Sipas Bashkisë së Korçës, prokurorit Hysenaj i është miratuar në Shtator 2017, “pasi është ndjekur e gjithë procedura ligjore” thekson kryetari Sotiraq Filo.

Kolë Hysenaj ishte drejtues i Prokurorisë së Korçës në vitin 2016, kur ai vendosi të investonte kursimet e tij në pasuri të paluajtshme në zonën shumë pranë qendrës së qytetit juglindor. Në deklaratën e pasurisë për vitin 2016, Hysenaj deklaron se ka kryer dy blerje, truall + ndërtesë me sipërfaqe 316 m2; si edhe “truall + ndërtesë me sipërfaqe 50 m2”. Vlera totale e blerjeve, sipas formularit të pasurisë, është 125 mijë euro.

Si burim financiar për blerjen e këtyre pronave, prokurori Hysenaj ka deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e një prone në Tiranë, si edhe kredi në vlerën 5 milionë lekë. Duke vijuar më thellë në kohë, prokurori Hysenaj deklaron se prona në Tiranë, nga shitja e të cilës ka fituar të ardhura për të kryer investime në Korçë, është krijuar nga të ardhurat nga paga si prokuror dhe fitimet e bar-kafe me 7-8 tavolina, i gjendur pranë godinës së Prokurorisë së Tiranës.
Prokurori Hysenaj rezulton se ka qenë administrator i mirë i të ardhurave, pasi, pasuria e tij, e nisur nga një shtëpi me borxhe, tashmë është shndërruar në “saraje” në Korçë dhe apartament në Tiranë.

“Boldnews.al” ka publikuar më parë pronën e blerë nga prokurori Hysenaj në Korçë. Në momentin që godina është blerë nga prokurori, ajo ishte e pasistemuar, megjithëse në një zonë shumë të preferuar për shërbime hotelerie.

Disa foto të tjera, të siguruara nga “Boldnews.al” kohët e fundit, dëshmojnë se objekti, dikur i me pamje jo-komode, sot është shndërruar në një godinë tërheqëse. Kosto e rikonstruksionit të godinës është ende e paqartë. Bashkia e Korçës nuk është në gjendje të përcaktojë koston e ndërtimit e të rikonstruksionit, pasi vlera është në varësi të punimeve të rikonstruksionit.

Megjithatë, kryebashkiaku i Korçës, në përgjigjen drejtuar “Boldnews.al” i referohet kostove minimale të ndërtimit, bazuar në Udhëzimin e Këshillit të Ministrave për vitin 2016.
“Sipas tabelës 1 (të këtij Udhëzimi), kosto mesatare e ndërtimit për Korçën është 32.381 lekë/m2”, deklaron kryebashkiaku Filo.
Gjithashtu, Bashkia Korçë informon se në 08.02.2019, prokurori Kolë Hysenaj dhe bashkëshortja e tij kanë aplikuar për çertifikatë përdorimi të objektit, pas përfundimit të ndërtimit. Pas dorëzimit të kërkesës për çertifikatë përdorimi, ajo “është miratuar në datë 20.02.2019”, deklaron Bashkia Korçë.

Pajisja me çertifikatë përdorimi nënkupton që subjekti zhvillimor, në rastin konkret prokurori Kolë Hysenaj, ka përfunduar ndërtimin, e ka kolauduar atë, si edhe është pajisur paraprakisht me aktet që konfirmojnë se ndërtimi është realizuar brenda projektit, për të cilin ka aplikuar në Bashkinë e Korçës. Kjo dëshmon se prokurori Kolë Hysenaj tashmë e ka përfunduar rikonstruksionin/ndërtimin e objektit dhe është gati për ta vendosur atë në funksionim, në shërbim të klientëve që do të zgjedhin pronën e tij për të shijuar udhëtimet turistike në Korçë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Boldnews