2 pacientë 58 dhe 59 vjeç kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në spitalin Infektiv në Tiranë, që sipas MSH-së kishin sëmundje shoqëruese dhe prej disa ditësh ndodheshin të shtruar në terapi intesive. Ndërkohë që ka një rënie të lehtë të numrit të rasteve të reja, ku nga 397 testime që janë kryer, 69 kanë rezultuar pozitiv me Covid 19.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.

Ndërkohë që ajo që vërehet shqetësuese në njoftimin e sotëm të Ministrisë së Shëndetësisë, është numri i lartë i personave të shtruar, ndërsa ka shkuar në 4 numri i pacientëve të intubuar, numri më i lartë ditor që prej fillimit të pandemisë.

”Situata serioze në spitalin infektiv ku ka dhe mosha të reja të shtruara, kërkon reflektim nga ana e qytetarëve për të ruajtur distancimin fizik, për të ruajtur higjienën personale, për të mbajtur maskën në ambiente të mbyllura, apo kudo ku nuk është e mundur të ruhet distanca fizike prej të paktën 1.5 metër”, është apeli i Ministrisë së Shëndetësisë.