Reagon Albin Kurti/ Unë e kam ndarë mendjen për presidentin

Orvatja e katërt për rrëzimin presidencial të Republikës së Kosovës

1. Nga vizita në Washington D.C. u kthye duarthatë. Qëndroi atje mbi një javë, nga 23 shkurti deri më 2 mars 2020, takoi Vuçiqin e Serbisë, u soll e pështoll korridoreve pa arritur të ndodhet në të njëjtin kuadër filmik me Presidentin Trump ose Zëvendës Presidentin Pence. Unë nuk ju bashkova në lidhjen e shkurtër që ka me Vuçiqin për ujdi me thika mbi hartën e Kosovës. Ngeli pa marrëveshjen ‘historike’ sepse edhe ndërmjetësit amerikanë edhe presidenti serb e dinin që nuk ka legjitimitet: në Kosovë ishin kurorëzuar ndryshimet e 6 tetorit me qeveri të re të 3 shkurtit.

2. Të nesërmen e shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore më thirri në telefon. Presidenti më thoshte që don të konsultohet për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Ia shpjegova që nuk janë krijuar kushtet për gjendje të jashtëzakonshme në vendin tonë. Situata është nën kontroll. Më 17 mars mbajtëm mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës në kohën kur nuk kishim asnjë të vdekur nga virusi Corona dhe vetëm 19 të infektuar. Edhe aty dështoi që ta fitojë diskutimin për nevojën e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria dhe mekanizmat shtetërorë po funksiononin të sinkronizuar si rrallë herë më parë. Me një përjashtim prej ministri.

3. Me 25 mars u bënë bashkë ata që në fakt nuk ishin ndarë. E votuan mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë ndërkohë që nuk donin zgjedhje të reja! Meqë humbën te populli donin të fitonin në tavolinë. Të anashkalonin edhe fituesin e zgjedhjeve edhe më të votuaren e LDK-së. Pas 25 marsit, Presidenti po sillej thua se nuk kishte ndodhur 3 shkurti. Mirëpo, ai PLAN kishte dështuar në mëngjesin e 3 shkurtit, kur Presidenti kishte kërkuar nga deputetët e pakicave joserbe që të mos e votojnë qeverinë, me premtimin se herën e dytë ai do t’ia jep mandatin LDK-së kurse ata do të marrin më shumë ministri. 😉 Mbase PLAN-i edhe ka besuar që ne të LVV aq shumë e duam pushtetin saqë do biem në depresion kur të na e rrëzojnë qeverinë.  Mirëpo, ne nuk mund ta duam pushtetin sikur ata. Për neve pushteti është mjet për shtetin dhe qytetarët e jo shtëpi e re për qeveritarët. Ne jemi në detyrë.

4. Gjykata Kushtetuese duket se është nën trysni të paparë nga veprimet e Presidentit. Dekreti i tij kapërceu partinë fituese dhe mandatoi atë që nuk ishte as në mesin e dhjetë më të votuarve në zgjedhjet e 6 tetorit! Teksa diskutimi që duhet të bëjmë është për datën më të përshtatshme për zgjedhje. Sepse rasti i tanishëm as formalisht e as materialisht nuk është i ndryshëm prej viteve 2010 dhe 2017: binte qeveria e shkohej në zgjedhje, pra respektohej procedura ashtu si e parasheh shprehimisht Kushtetuta. Në anën tjetër, Presidenti shpalli se 20 ditë është afati që duhet të ketë partia fituese për të çuar emër, pra, nga letra e parë me 2 prill deri te tryeza konsultative me 22 prill. Presidenti në Republikën e Kosovës është politikisht joaktiv. Ai nuk përzgjedh kandidatët e as nuk përcakton afatet, por veçse pranon propozimet. Presidenti simbolik, meqë vuan këtë fakt, don ta kthejë Republikën në simbolike. Me sjelljet e tij ilegale synon ta reduktojë shtetin në institucion paralel ndërsa Kushtetutën në udhëzim të tij administrativ.

Edhe orvatja e katërt do t’i dështojë. Koha nuk kthehet mbrapsht. 6 tetori 2019 ka ndodhur. Që prej atëherë, koha ka ecur përpara. I thjeshtë është problemi të dashur qytetarë: nuk mund ta shpëtojmë edhe Republikën edhe këtë President. E, unë e kam ndarë mendjen. Moti.