Reagimi i Vetëvendosjes në Tiranë: Pse milionerët si Pacolli hyjnë sipas dëshirës në Shqipëri ndërs të varfërit braktisen në kufi!

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë ka ngritur një sërë çështjesh nisur nga lajmet se kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka udhëtuar nga Zvicra me avion privat dhe po qëndron në shtëpinë e tij në kryeqytetin shqiptar.

Në një koment në faqen e tij në Facebook, Boiken Abazi thotë se autoritetet e Shqipërisë duhet të bëjnë transparente procedurat në lidhje me ardhjen me avion privat, qëndrimin dhe karantinimin e Behgjet Pacollit në Republikën e Shqipërisë. Abazi ngre një sërë pikash që sipas tij kërkojnë transparencë.

POSTIMI:

1. A janë ndjekur procedurat e bëra publike nga Ministria e Infrastrukturës (referohu fotografisë së udhëzime zyrtare më poshtë) për rastin Pacolli? Nëse po, si? Nëse jo, pse jo? Kur është dhënë leja dhe mbi ç’bazë?

2. Zvicra, vendi nga po udhëtonte Pacolli, ka mbi 29.000 mijë raste të konfirmuara me COVID-19, e renditur e 17-ta në botë, dhe 1699 të vdekur nga ky virus.

3. Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka sqaruar publikisht se Pacollit i është kërkuar që kur të mbërrinte në Kosovë të zbatonte rregullat e karantinimit, dhe të vendosej 14 ditë në konvikt në Prishtinë, si gjithë qytetarët e tjerë.

4. Është hedhur pretendimi se Pacolli është sëmurë, por Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka sqaruar publikisht se çdo qytetar mund të paraqes raport mjekësor pranë autoriteteve dhe në këtë rast karantinimi 14 ditor bëhet me izolim në shtëpi, nëse i sëmuri nuk ka komplikacione që kërkojnë hospitalizim. Ministri Vitia ka sqaruar publikisht se e ka kontaktuar disa herë Pacollin, por nuk ka marrë përgjigje prej tij.

5. Autoritet e Kosovës i kanë dhënë leje Pacollit të ulet me avionin e tij privat në Prishtinë, por Pacolli ka refuzuar, dhe ka preferuar të ulet me avionin e tij privat në Tiranë.

6. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga autoritet në Shqipëri për karantinimin e Behgjet Pacollit. Pse mbahet e fshehtë kjo nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë? Cilat janë dokumentet që ka paraqitur Pacolli para autoriteteve të Shqipërisë?

7. Pse vendosen standarde të dyfishta për riatdhesimet? Pse qytetarë, që nuk janë multimilionerë si Pacolli, lihen me ditë nën qiell të hapur në mes të kufirit Shqipëri-Greqi, ndërsa multimilionerët si Pacolli lejohen të ulen me avion privat në Rinas pa asnjë transparencë dhe shpjegim. Pse, pas 17 prillit dhe vendosjes së rregullave të riatdhesimit gjatë pandemisë, qytetarët e tjerë duhen të aplikojnë ditë përpara e të rezervojnë hotelet e caktuara nga qeveria, ndërsa për multimilionerë si Pacolli nuk ka asnjë sqarim zyrtar nga autoritetet?

8. Autoritetet e Shqipërisë, duhet ta bëjnë menjëherë transparente zyrtarisht nëse Pacolli gjendet ende ne territorin e Republikës së Shqipërisë, duke treguar edhe për masat e karantinimit ndaj tij, në emër të shëndetit publik!