Kryeministri Rama është shprehur sot se PS nuk do të jetë një koalicion me asnjë parti politike, por vetëm me qytetarët në zgjedhjet e Prillit. Duke ironizuar opozitën, Rama tha se koalicioni që ata po përpiqen të bëjnë është një variant hibrid i papërtypshëm.
“Është pyetje e ezauruar besoj unë, sistemi që kemi zgjedhur është ai që çdo parti garon me simbolin e saj, ose bën një koalicion me një simbol dhe një skuadër të përbashëkët. Ne e kemi bërë të qartë për të gjithë se koalicionin dhe shumicën e kemi me njerëzit. E mirëkuptoj pyetjen tuaj duke parë se çfarë po ndodh në kampin tjetër, ku po punohet për një hibrid të pangrënshëm, të pagëlltitshëm”, tha Rama.
Sa i takon mundësisë së shtyrjes së afatit të skadimit të kartave të identitetit, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të votojnë në zgjedhjet e Prillit, Rama la të kuptohet se mund të pranohet kërkesa e opozitës jashtë parlamentare.
“Nuk e kam dëgjuar këtë si propozim, kur bëhet fjala te zgjedhjet, ato janë të përbashkëta, rregullat e lojës janë të propozuara bashkërisht, dhe çdo propozim është i mirëseardhur, bën sens dhe normalisht që do të trajtohet me seriozitetin e duhur”, deklaroi kryeministri.
Rama sulmoi dhe presidentin e vendit Ilir Meta, për të cilin tha se ka probleme me trutë e kokës, dhe ka shpërdoruar postin që mban.
”Unë nuk mendoj që nuk ka nevojë për komente. Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sytë e të gjithëve. Ilir Meta nuk është në nivelin që i kërkon kushtetuta por është nën një nivel mesatar të një njeriu që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës.
Një president që lëviz ditën dhe natën për arsye elektorale, në shërbim të një ndërrmarjeje që e menaxhon e shoqja. Dhe është një person që humbet nivel çdo ditë në raport me detyrën”, tha Rama.