Në Itali 1447 persona kanë humbur jetën: 175 persona vetëm në 24 orët e fundit

Qeveria italiane pritet të aprovoj sot dekretin “Shpëto ekonominë” me masa urgjente ekonomike me një fond mbi 20 miliardë euro në ndihmë të familjeve italiane, sipërmarrjeve, punonjësve publikë e privatë e sistemit shëndetësor.

Ekonomia italiane është në një moment të vështirë të saj, imponuar nga përhapja dramatike që ka marrë pandemia e koronavirusit që ka paralizuar gati çdo sektorë të saj.

Mbrojtja e shëndetit, e familjes, e punës dhe e bizneseve si dhe masa specifike për sektorë të ndryshëm të ekonomisë është objektivi i këtij dekreti të qeverisë që përmban 113 pika.

Për bizneset në sektorët më të goditur të ekonomisë si turizmi, transporti, edukimi, asistenca, sporti, arti, kultura parashikohet pezullimi i pagesës së taksave e sigurimeve shoqërore deri më 31 maj 2020 me mundësi shlyerje me këste e pa interes pas kësaj date.

Rreth 5 miliardë euro janë parashikuar për amortizatorë social në ndihmë të punonjësve publikë e privatë. Pezullohen këstet e kredive për ata që kanë blerë shtëpi për herë të parë e vihet në dispozicion një fond garancie për familjet në nevojë e për ata që kanë humbur vendin e punës.

Punonjësit e sektorit publik e privat që kanë vazhduar punën përgjatë muajit mars, shteti u jep një vlerësim monetar prej 100 euro e punonjësve autonom një kompensim prej 500 euro.

Një fond prej 50 milionë euro i vihet në dispozicion bizneseve për blerjen e maskave e të dorezave për garancinë e sigurisë shëndetësore të punonjësve.

1.15 miliardë euro do të financojnë nevojat e sektorit shëndetësor e 1.5 miliardë euro do të t’i jepet Fondit të Emergjencave Kombëtare pranë Entit të Mbrojtës Civile.

Mbledhja e qeverisë italiane për aprovimin e dekretit “shpëto ekonominë” pritet të nis në ora 10.00 të ditës së sotme 16 mars 2020