Rreth 14 muaj ka kaluar nga inagurimi që iu bë pistës së biçikletave nga  ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi. Po në atë ditë ministrja e theksoi se ky ishte një projekt që u bë realitet dhe se zona mund të merrte zhvillim. Ekonomi u shpreh se “Përmes kësaj rruge me biçikleta jo vetëm krijohet mundësia të eksplorohet  liqeni për turistët e aventurës, por kjo rrugë do të lidhë edhe disa punishte që përpunojnë vajin në këtë zonë”

Jemi 14 muaj më pas dhe ky investim pjesërisht është jashtë funksionit dhe madje banorët e zonës, shprehin se po të ishin konsultuar më parë me ta, do i kishin dhënë sugjerime të tjera. Ndër të tjera u shpreh se zona do të marr zhvillim, por si zonja ministre? Po tani që ky investim është jashtë loje, a do keni guximin të vini edhe njëherë në Belsh dhe ti kërkoni ndjesë atyre banorëve që ky investim shkoi dëm, dhe se po të ishte investuar me më kujdes e planifikim sot do ishte një tjetër realitet.

Nga ana tjetër kreu i bashkisë së Belshit tha se prej kohësh askush nuk është kujtuar për këtë zonë, e cila tashmë falë investimeve të qeverisë dhe donatorëve po shndërrohet në një destinacion turistik.  Një tabelë e re që u zbulua në hyrje të zonës ku shkruhet: “Mirë se vini në Liqenin Seferan, vend për të gjithë në çdo stinë”  fton turistët  të eksplorojnë këtë zonë të veçantë dhe të bukur të Belshit. Është e vërtetë që ajo zonë nuk ka marrë investime dhe se ata banorë meritojnë më shumë se kaq. Por, le të qëndrojmë tek problematika sotme, nga dje deri më sot kreu i Bashkisë Belsh nuk ka dalë me një deklaratë për ti kërkuar ndjesë që bashkia realizoi një investim të nevojshëm, por pa pikën e planifikimit. E dyta, pse nuk është ndërmarrë asnjë veprim deri më tani për të normalizuar apo konsultuar me banorët për një zgjidhje. E treta, ju asokohe i bëtë thirrje turistëve të huaj të vijnë në Belsh dhe të vizitojnë bukuritë natyrore, që i ka me shumicë, por nga atëherë deri tani na thoni çfarë përpjekje ka bërë bashkia për t`a bërë realitet këtë?