Lumë gjobash nga policia për parakalimet e gabuara

Janë proceduar penalisht 6 tifozë të cilët sipas policisë, organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, si dhe nuk u bindën urdhrit të punonjësve të rendit për t’u shpërndarë, ndërkohë bëhet fjalë për orghanizatorët e manifestimeve të ndeshjes Tirana-Kukësi.

Blutë e kryeqytetit njoftojnë se gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit midis ekipeve Tirana – Kukësi, pasditen e djeshme, në stadiumin “Selman Stermasi”, disa persona kanë grumbulluar pranë stadiumit, një grup tifozësh të skuadrës Tirana, në shkelje të protokolleve të sigurisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke prishur rendin dhe qetësinë publike dhe duke kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për t’u shpërndarë.

Pas veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, janë identifikuar dhe proceduar në gjendje të lirë organizatorët, konkretisht shtetasit: M. J., F. M., E. S., O. K., G. X. dhe K. M.

Gjithashtu, në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, u gjobit me 1 milionë lekë të reja (10 milionë lekë të vjetra) pronari i një lokali në afërsi të stadiumit, pasi lejoi të futeshin dhe të qëndronin në ambientet e brendshme të lokalit, tifozët që nuk po zbatonin urdhrin e Policisë për t’u shpërndarë dhe respektuar distancimin social, urdhër i dhënë disa herë me megafon, që prej fillimit të grumbullimit të paligjshëm e deri në shpërndarjen e plotë të tyre.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.