Vlora është tronditur rreth orës 21.00 të mbrëmjes së kësaj të marte nga një tjetër ngjarje e rëndë.

Një person është vrarë në fshatin Fushë Dukat në afërsi të Orikumit. Burime zyrtare nga policia e qytetit thanë se viktima është një 27-vjeçar i identifikuar si Beniamin Bezhani.

Policia tha se është njoftuar nga një telefonatë në Sallën Operative të Vlorës se një automjet ka ndaluar në rrugë dhe brenda tij ka një person të pajetë.

Burimet thanë se ndaj tij është qëlluar me breshëri dhe në makinë janë vënë re të paktën 8 plumba.

“Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve” –thuhet në njoftimin e policisë