Gjermania hyn te shtetet me numrin më të ulët të viktimave nga koronavirusi.

Deri më tani kanë ndërruar jetë 181 persona dhe janë infektuar në total 35.353 njerëz.

Krahasuar me Spanjësn dhe Italinë, që deri më tani kanë shënuar përkatësisht 3.434 dhe 6.280 të vdekur nga COVID19, numri i Gjermanisë është relativisht i ulët.

Duket se në Gjermani ndërgjegjësimi i qytetarëve është më i lartë për të bashkëpunuar me autoritetet dhe për të ruajtur distancimin shoqëror.

Në lidhje me këtë fenomen ka folur dhe Arjan Mullaj, mjek shqiptar që jeton dhe punon në Gjermani.

“Sigurisht, është edhe në natyrën e gjermanëve të cilët respektojnë rregullat dhe ligjet e tyre. Në Gjermani bëhet gjithmonë hapi i parë për t’i tërhequr njerëzit nga ana e ndërgjegjësimit sesa me urdhëra politike apo mënyra diktatoriale. Megjithatë masa të tilla do jenë të domosdoshme me kalimin e kohës. Gjithsesi gjithë këto masa dhe gjithë ky ndërgjegjësim i popullsisë gjermane kanë ndikuar në mënyrë absolute në ngadalësimin e perhapjes së virusit, të prekjes se njerëzve nga virusi dhe sigurisht ndërgjegjësimi shëndetësor dhe kultura shëndetësore e popullit gjerman tregon një numër të kufizuar të ecurive të këqija dhe numrin e kufizuar të të vdekurve”, është shprehur ai në një lidhje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve në Ora News.