Përse heshtët për vrasjen e një biznesi?

Një ngjarje e “vogël” në Malësi të Madhe kaloi pa shumë shurmë, ose pa zhurmë fare. Një kompleks turistik në zonën Qafë Thore, ndërtuar nga Gëzim Olaj, u dogj.

Duket se nuk ka dyshime për origjinën e zjarrit, pasi njoftimet e para folën për hedhjen e lëndës djegëse, benzinë, dhe padyshim ky nuk është një aksident.

Një investim shumë i kushtueshëm, një investim që i shton kësaj malësie një tjetër destinacion turistik, gjë që çoi edhe gjysmën e qeverisë për të prodhuar një spot promovues atje, në kuadër të agro-turizmit. Por ndërsa ishte i mbuluar ende me borë, u dogj tërësisht.

Motivet s’i dimë ende zyrtarisht, konkurencë apo hakmarrje personale. Nuk ka shumë rëndësi, është pakashumë e njëjta gjë. Ndërsa pasoja është një: Një investim i humbur dhe një gur më shumë në qafën e besimit për të investuar në këtë vend. Por ajo që të vret më shumë është heshtja e policisë, heshtja e qeverisë dhe heshtja e komunitetit të biznesit, në Shkodër e Tiranë.
Për mjedisin ekonomik, të djegësh qëllimisht një biznes, është njësoj si të vrasësh një sipërmarrës.

(Ne foto: Sipermarresi Gezim Olaj, dhe investimi i tij para shkaterrimit)