Deklarata e PD-së drejtuar Ramës: Fillo bëj punën për të cilën paguhesh!

Partia Demokratike ka denoncuar ditën e sotme vijimin e dhënies së tenderave që sipas saj kryeministri Edi Rama ua jep miqve të tij, ndërkohë që e gjithë Shqipëria është në karantinë.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ENKELED ALIBEAJ

Kompanitë e preferuara të Ramës marrin tendera edhe në javën e ferrit të Coronavirus.

Ndërsa shqiptarët janë vendosur në karantinë për t’i bërë ballë COVID-19, kur bizneset kanë mbyllur dyert dhe po luftojnë një luftë ndaj CORONAVIRUS, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vazhduar të tenderojnë projektet për betonimin e Tiranës. Pjesa e Parkut të Liqenit, ku aktualisht ndodhet godina e Gardës së Shqipërisë, është shpallur si i hapur në garën e Bashkisë të publikuar këto ditë karantinimi.

 

Sipas të dhënave të publikuara, Bashkia Tiranë ka hapur tenderin për ndërtim tek Garda, në mushkërinë e vetme të qytetit të Tiranës. Të dhënat tregojnë se Bashkia e TIranës po tenderon këtë projekt me një vlerë prej 1.8 milionë euro, duke shtyrë ditën e aplikimit deri në 27 mars 2020.

Ndërsa qytetarët janë vendosur në karantim dhe në ankthin për të shpëtuar nga Coronavirusi, virusi i betonimit vazhdon të kafshojë shqiptarët dhe veçanërisht Tiranën.

Bashkia Tiranë vazhdon të ketë prioritet pagesat për klientët e saj, duke paguar 700 mijë euro për kompaninë offshore të inceneratorit.

Pak ditë më pas, edhe kompania tjetër e inceneratorëve të Elbasanit, zotëruar nga Klodian Zoto, Albtech Energy, ka marrë në 12 mars 2020 nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dy këste me vlerë totale 800 mijë euro.

Por inceneratorët nuk janë të vetmit që kanë përfituar në këto kohë karantinimi. Buletini i tenderave dhe koncesioneve është i pasur.

Kompania FUSHA shpk e përfshirë në ndërtimin e kullave aty ku sot ndodhet Teatri Kombëtar ka marrë në 12 mars 2020 173 mijë euro (21 mln lekë) nga taksat e shqiptarëve. Kompania e policisë private të Sandër Lleshaj, Illyrian Guard ka shpenzuar nga buxheti i shtetit 62 mijë euro (8 mln lekë).

Kompania Salillari shpk ka përfituar në mars 218 mijë euro (26 mln lekë) duke qenë ofertë e vetme, njësoj siç ka përfituar edhe 16 mijë miku i afërt i Ramës, Alban Eftimi, dhe një tjetër tender me vlerë 418 mijë euro (50 mln lekë) të paguar në mars 2020.

Në një kohë kur bota po ushtron presion dhe po çliron shuma të mëdha në ndihmë të ekonomisë, Edi Rama u hedh paratë e shqiptarëve të karantinuar miqve të tij. Përfshirë edhe mbi 6 mijë euro fonde të kaluara për kompaninë e Ilir Beqjes brenda datës 17 mars 2020.

Në total vlerat e hetuara deri më tani kapin shumën e 51,5 mln eurove dhe që po u shkojnë ose kompanive që kanë pasur një ofertë të vetme apo dhe miqve të qeverisë.

Ndërkohë Bashkia Tiranë vazhdon planin betonues të kryeqytetit sidomos tani gjatë karantinimit dhe shmangies së vëmendjes.

Është jetike që këto shuma të ishin alokuar për një rishikim buxheti në ndihmë të familjeve që janë në kushte ekstreme varfërie dhe për një frymë-marrje të domosdoshme për ekonominë. Por duket se zëri i tyre bie në veshin e shurdhët të një Edi Rame që mes halleve të njerëzve dhe xhepave të tij dhe miqve të tij ka zgjedhur edhe në kohë pandemie të vjedhë dhe shpërdorojë paratë e shqiptarëve.