PD shpalos platformën kundra vjedhjes së votave

Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeja dhe Ivi Kaso në një deklaratë për mediat kanë shpjeguar sot ndryshimet e ligjit për krimin zgjedhor, atë të blerjes së votës.

Ish deputeti Oerd Bylkbashi deklaroi se synimi ynë është garantimi i fushë lojës së barabartë për të gjithë aktorët zgjedhorë.

“Kemi prezantuar dje tre paketa në lidhje me ndryshimet që opozita e bashkuar propozon për të goditur krimet zgjedhore, duke rritur rolin e organeve ligjzbatuese; Prokurorisë së shtetit, policisë dhe gjithë instrumenteve të tjerë që duhen në këtë aspekt. Gjithashtu propozime për ndarjen e krimit nga politika. Tema këto që janë prioritare në axhendën e miratuar nga Këshilli Politik për reformën zgjedhore, pak kohë më parë.

Sigurisht masat që ne parashikojmë, janë masa që kërkojnë mbi të gjitha respektimin e parimit themelor, që ka OSBE që është garantimi i fushë lojës së barabartë për të gjithë aktorët zgjedhorë, një parim i cili është konstatuar në paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së dhe që ka për qëllim, mbi të gjitha shkëputjen e shtetit nga politika, qenien e shtetit një organizëm neutral i cili funksionon në interes të publikut, të zgjedhësve dhe jo si aktor në favor të një partie që garon për të rrëmbyer pushtetin.

Çështjet kryesore janë një rol i ri aktiv Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit në parandalimin e krimit zgjedhor, në goditjen e tij para ditës së votimit, një rritje e instrumenteve, fuqizimi i instrumenteve që do të kenë në dorë pikërisht organet ligjzbatuese, me një kornizë kontrolli të fortë në mënyrë që jo vetëm të luajnë rolin e tyre por edhe të mos abuzohet nga qeveria. por të gjitha faktor kryesor në denoncimin dhe goditjen e krimit zgjedhor.

Një nga elementët kryesore që OSBE/ODIHR-i nënvizon në disa raporte; 2015, 2017, 2019 janë shitblerja e votës, është presioni mbi zgjedhësit që janë punonjës të administruarës, cenimi i sekretit të votës, cenimi i lirisë së votës.

Qëllimi i propozimeve tona është që të godasin pikërisht këto fenomene, qoftë duke i parandaluar, qoftë duke I ndjekur penalisht, në mënyrë që të rritet besimi jo vetëm tek procesi, por edhe tek legjitimitetit i organeve që dalin nga zgjedhjet”, thanë gjatë konferencës për mediat, tre përfaqësuesit e PD-së.