PD ndez motorët e fushatës: Zbulohet numri një i fushatës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nuk ka pritur shtatorin për të ndezur motorët e fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Me përfundimin e rregullores për përzgjedhjen e kandidatëve nga anëtarësia, Basha ka marrë një tjetër vendim të rëndësishëm.

Dosja.al ka zbuluar se PD ka zgjedhur edhe Drejtorin e Fushatës Elektorale që synon t’i rikthejë në pushtet në vitin 2021. Ai është Alfred Rushaj, një emër i njohur për demokratët, gjatë kohës së qeverisë Berisha. Ish-zv/ministri i Sali Berishës rikthehet në Partinë Demokratike në një post kyç, por edhe me një eksperiencë të admirueshme mbi supe. Ai do të jetë numri një që do të merret me organizimin, programimin dhe adresimin e problemeve gjatë fushatës.

Alfred Rushaj, drejtor i fushatës

KUSH ËSHTË ALFRED RUSHAJ? 

Alfred Rushaj ka lindur më 19 maj të vitit 1974 në qytetin e Lezhës. Ai është diplomuar për Drejtësi pranë Universitetit të Tiranës në vitin 1997 në krye të klasës së tij me notë mesatare 10.00.  Ai është i liçensuar dhe është anëtar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë. Alfred Rushaj posedon njohuri të thella dhe përvojë të madhe pune në legjislacionin e fushës së energjisë dhe legjislacionit tatimor. Ai ka shërbyer si Zëvendës Ministër i Financave nga viti 2009 deri në vitin 2013 dhe si këshilltar juridik i Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë nga viti 2005 deri në vitin 2009.

Nga 1997 deri 2005 ka mbajtur disa pozicione menaxheriale dhe ekzekutive në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH sh.a.). Rushaj ka qenë Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të OSSH sh.a( Kompania Shqiptare e Shpërndarjes dhe Furnizimit me Energji), Anëtar i Bordit të Drejtorëve të OST, Anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Albtelecom (Kompania Shqiptare e Telekomunikacionit), Anëtar i Bordit Mbikëqyrës të Albpetrol ( Kompanisë Shqiptare të Naftës), Kryetari i Bordit Mbikëqyrës të INSIG sh.a. ( Kompania e Sigurimeve Shqiptare), Kryetar i Bordit Mbikëqyrës të INSIG Maqedoni (Kompania Shqiptare e Sigurimeve që vepron në Maqedoni) dhe Anëtar i Bordit të Drejtues për Agjensinë e Burimeve Natyrore. Ai gjithashtu ka dhënë mësim në lëndën e së Drejtës Publike në Fakultetin e Drejtësisë Universiteti i Tiranës nga viti 1999 deri në vitin 2004.

Ish-ministri është njohës i disa gjuhëve të huaja dhe ekspert i legjislacionit në fushën e taksave, prokurimeve, energjisë, shoqërive tregtare dhe infrastrukturës.