PD-ja kallëzon në SPAK ministrin Klosi, kryebashkiakun Peçi e dy zyrtarë

 

Partia Demokratike ka kallëzuar në prokurorinë speciale katër zyrtarë, me të cilëve ministrin e Mjedisit, Klosi e kryebashkiakun e Tepelenës, Peçi.

Në deklaratën e lexuar nga anëtari i kryesisë, Malltezi, thuhet se personat e akuzuar janë përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun e Dajtit, te Uji i Ftotë në Tepelenë si dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit.

“Gjatë 8 viteve, qeveria e Edi Ramës ka bërë dëme të mëdha në çdo fushë. Ekonomia është më keq, njerëzit nuk gjejnë punë, çdo gjë bëhet me para në dorë, krimi është më i pushtetshmi, njerëzit janë më të pasigurt. Mes shumë dështimeve, që rëndojnë dhe ndikojnë për keq jetën e përditshme të qytetarëve, krimet mjedisore janë nga më të rëndat. Përmes korrupsionit, janë shkatërruar pasuri te mëdha natyrore, për rikuperimin e të cilave duhen me dhjetëra vite. Për të ndaluar shkatërrimin e tyre, ne sot do të depozitojmë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion 3 padi penale ndaj zyrtarëve përgjegjës për katrahurën mjedisore në Parkun Kombëtar të Dajtit, në Monumentin e Natyrës “Uji i Ftohtë” në Tepelenë dhe për vjedhjen e fondeve të mjedisit. Blendi Klosi, Zamir Dedej, Edison Konomi dhe Tërmet Peçi duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkatërrimin e pasurive natyrore të vendit.” – tha Malltezi.

Më tej, zyrtari i PD-së tha se ministri Klosi dhe drejtorët në varësinë e tij, Zamir Dedej e Edison Konomi, janë përgjegjës për kthimin e Parkut të Dajtit në një gurore masive për interesat e tyre dhe oligarkut të lidhur me të, ‘Gjoka Konstruksion’.

“Padia e parë ndaj Blendi Klosit dhe Drejtorëve të tij Dedej dhe Konomi bëhet për kthimin e Parkut Kombëtar Dajt në një gurore masive për interesat e xhepit të zyrtarëve dhe oligarkut të qeverisë “Gjoka Konstruksion”. Parku Kombëtar i Dajtit dhe Monumentet e Natyrës si “Shkalla e Tujanit” (ku sipas ligjit duhen zbatuar masat më të rrepta të mbrojtjes së natyrës) janë kthyer në gurore masive dhe diga. Për të shtuar milionat, Gjoka kthen Parkun e Dajtit dhe monumentet e natyrës në gurore, ndërsa zyrtarët mbyllin sytë, veshët dhe gojën duke lejuar dëm mjedisor dhe vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës.” – vijoi Malltezi.

Ky i fundit e vijoi denoncimin duke thënë se drejtori në Ministrinë e Mjedisit, Zamir Dedej, është përgjegjës për vjedhjen e 490 mijë euro para publike nëpërmjet shoqatës së tij.

“Padia e dytë është për drejtorin famoz të Klosit, Zamir Dedej. Ai ka VJEDHUR, përmes shpërdorimit të detyrës rreth 490 mijë euro para publike (deri më sot) fillimisht duke çuar buxhetin e shtetit tek shoqata që drejtonte, derisa u emërua drejtor, e më pas në një shoqatë të paregjistruar fare në QKB dhe me NIPT që nuk ekziston! Kjo veç në Absurdistan mund të ndodhë. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i ka me padi të gjitha të dhënat për shkeljen e ligjit. (Sic mund t’a shihni ne fotot bashkëngjitur janë përdorur numra NIPT të ndryshëm për shpallje, fitues tenderi dhe për formularë nënshkrimi kontrate të fituar dhe asnjë nga këto 2 NIPT nuk i përket kësaj shoqate!) Ky rast është për Guinnes, pasi i ka dhënë një shoqate qindra mijëra euro pa qenë e regjistruar fare në QKB dhe as nuk ka fare NIPT!” – lexoi Malltezi në denoncimin për Dedejn.

Ndërsa padia e tretë sipas tij është për kryebashkiakun e Tepelenës, Tërmet Peçi e drejtorin në Ministrinë e Mjedisit, Zamir Dedej. Malltezi tha se dy personat në fjalë kanë dënë leje ndërtimi për një objekt 6-katësh në shtratin e lumit ku nis monumenti i natytës ‘Uji i Ftohtë’. Ai i bëri thirrje prokurorisë speciale që të hetojë pa humbur kohë kallëzimin e bërë nga PD-ja.

“Padia e tretë është per Termet Peçin, kryebashkiakun ilegjitim të Tepelenës dhe sërish për Zamir Dedej që kanë lejuar dhe dhënë leje për ndërtim objekti 6 katësh mu në shtrat lumi dhe mu në monumentin e natyrës “Uji i Ftohte”. Ligji për Zonat e Mbrojtura dhe Ligji për Burimet Ujore e ndalojnë kategorikisht këtë gjë. Kufijtë e zonave të mbrojtura nuk mund të lëvizen sipas interesave të xhepit të zyrtarëve të korruptuar dhe për këtë krim mjedisor ata duhet të japin llogari. Të treja këto dosje do të dorëzohen që sot në SPAK! Duhet pak vullnet i mirë që këto krime të hetohen pa u zvarritur, pasi dëmi që po shkaktojnë në mjedis është i jashtëzakonshëm.” – mbylli deklaratën Malltezi.