PD reagon ndaj Ramës: Nuk janë qytetarët problemi

Partia Popullore Europiane PPE ka uruar konsensusin për marrëveshjen në Këshillin Politik si dhe ka kërkuar miratim sa më shpejt të Paketës së ndryshuar për Kodin Zgjedhor dhe zbatimin e saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare e lokale.

Përmes një postimi në Facebook, eurodeputeti gjerman Michael Gahler, teksa përshëndet arritjen e marrëveshjes në tryezën e Këshillit Politik, i bën thirrje mazhorancës të mos tentojë të bëjë ndryshime të njëanshme dhe që dëmtojnë konsensusin mes palëve.

Ne përshendesim konsensusin e qëndrueshëm të partive që përfshijne Partinë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete. Çdo deklaratë nga partia në pushtet për ndryshime të tjera të njëanshme shkon kundër konsensusit të arritur“, thuhet ndër të tjera në reagimin e Gahler, raporton Syri.net.

Edhe pse ndryshimet për Reformën Zgjedhore janë firmosur njëherë në rezidencën e ambasadores amerikane prej përfaqësuesve të opozitës reale (Bylykbashi-Vasili), asaj parlamentare (Rudina Hajdari) dhe të dërguarit të Edi Ramës (Damian Gjiknuri), loja e për kryeministrit vazhdon.

Në këtë vazhdë mësohet se kryeministri Rama do të takojë sot (e martë) në orën 19:00 ‘opozitën parlamentare’ për të biseduar për Reformën Zgjedhore.

Takimi është kërkuar nga opozita në Kuvend dhe në të do të marrë pjesë kryeministri Rama, kreu i grupit parlamentar Balla dhe përfaqësues të opozitës në kuvend me në krye Myslym Murrizin.

Më herët tre kryetarët e grupeve parlamentare Murrizi, Stojku dhe Musai kanë deklaruar se deputetët e opozitës në parlament nuk do të votojnë draft-reformën Zgjedhore nëse nuk plotësohen kërkesat e saj, për hapje të listave të kandidatëve për deputetë. /A.R, Syri.net

Reagimi i plotë i Michael Gahler:

Së bashku si Grupi i PPE në Parlamentin Evropian, urojmë partitë në Këshillin Politik Shqiptar, i cili pas Marrëveshjes së 5 Qershorit, ra dakord për paketën e reformës zgjedhore. Ne e lavdërojmë konsensusin e Partisë Socialiste në pushtet dhe Partinë Demokratike (anëtare e PPE) dhe presim miratimin e shpejtë zyrtar të kësaj pakete.

Çdo përpjekje e partisë në pushtet për ndryshime të njëanshme të tjera shkon kundër konsensusit të arritur.

Ky konsensus është kusht kyç për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Këshilli Evropian në Mars në të vërtetë kërkoi që Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Fakti që qeveritë lokale në Shqipëri drejtohen nga një parti e vetme, e cënon nocionin themelor të një demokracie pluraliste.

Këto janë tre nga 15 kushtet e rëndësishme që Shqipëria duhet të përmbushë përpara fillimit të negociatave për anëtarësim  në BE.

Opinionet e fundit të Komisionit të Venecias për lirinë e mediave dhe gjyqësorit duhet të zbatohen plotësisht në mënyrë që të korrigjohen devijimet e mëparshme dhe të ecin përpara. Gjithashtu duhet të fillohet procesi penal lidhur me pretendimet e blerjes së votave në zgjedhjet e kaluara, përfshirë ato në Dosjet 184 dhe 339.

Të 15 Kushtet u vendosën në Mars nga Këshilli Evropian dhe u konfirmuan muajin e kaluar në Parlamentin Evropian nga një shumicë e madhe ndër-partiake.

Grupi Parlamentar i PEE vazhdon të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE“.