Kompania e Shpërndarjes së Energjisë do të aplikojë faljen e kamatëvonesave për pagesat e vonuara të faturave të energjisë elektrike në kushtet e masave të marra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Burime zyrtare bëjnë me dije se kompania OSHEE ka hartuar një plan me masa për t’i ardhur në ndihmë klientëve nga kjo situatë, dhe propozimi për heqjen e kamatës për qytetarët dhe bizneset i ka shkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në rolin e pronarit të kësaj shoqërie.

Aktualisht kompania aplikon kamatëvonesë në masën 0.1% të faturës për çdo ditë vonesë të pagesës së saj, ndërsa në rastin kur kalon më shumë se një muaj pa paguar, energjia ndërpritet.

Burimet thonë se po finalizohet paketa që kjo të mos ndodhë.

Moratorumi i heqjes së kamatave mendohet të veprojë për një periudhë prej 3-muajsh, derisa të përfundojnë masat drastike që janë marrë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

Në sportelet e kompanisë OSHEE ka patur radhë nga qytetarët të cilët kanë shkuar për të paguar faturat e energjisë, ndërsa vetë Kryeministri ka premtuar finalizimin e një pakete financiare për t’i ardhur në ndihmë shtresave të prekura nga masat e marra kundër përhapjes së koronavirusit.