Të paktën 50 persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 2700 të tjerë të plagosur në shpërthimet që tronditën këtë të martë Libanin. Numri pritet të rritet nga momenti në moment.

Një shpërthim masiv pranë qendrës së Bejrutit lëkundi të gjithë kryeqytetin libanez duke thyer xhama dhe duke bërë që ballkonet e ndërtesave të shembeshin. Shpërthimi më i fuqishëm që ka goditur Bejrutin vitet e fundit e lëkundi kaq shumë tokën sa banorët menduan se ra tërmet.

Pamjet që vijnë nga vendngjarja janë rrëqethëse. Njerëz të plagosur të mbuluar nga gjaku, të cilët të dëshpëruar kërkojnë për të afërmit e tyre, ndërsa spitalet janë tejmbushur.

Shkaqet e shpërthimit që ndodhi në zonën e portit, mbeten ende të paqarta. Ministri i Brendshëm libanez, Mohammed Fehmi tha se ai mund të ketë ardhur si pasojë e disa materialeve eksplozive që ndodheshin të magazinuara në portin e Bejrutit.

Sipas zyrtarëve, bëhet fjalë për disa materiale të konfiskuara vite më parë, që ishin magazinuar në këtë vend dhe që ishin materiale me rrezik të lartë shpërthyes.

Për ngjarjen pritet që të nisin hetimet.

Ndërkohë, numri i lartë i të plagosurve ka bërë që spitalet në vend të mbushen përtej kapaciteteve. Mediat ndërkombëtare raportojnë se disa të plagosurve u është kërkuar që të largohen për shkak se nuk ka më vend.

Përveç shpërthimit të ndodhur në qendër të qytetit, disa shpërthime të tjera u raportuan nëpër Bejrut.

Kryeministri i vendit në një dalje për mediat kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve për të përballuar këtë situatë.

“I bëj një apel urgjent të gjitha shteteve mike dhe vëllazërore… të qëndrojnë krah Libanit dhe të na ndihmojnë që të shërojmë plagët e rënda që kemi marrë“, tha Hassan Diab.

“Është një katastrofë masive kombëtare. Personat përgjegjës për këtë katastrofë do të paguajnë çmimin e merituar. Ky është një premtim për të vdekurit dhe të plagosurit”, theksoi kryeministri i vendit.

Shumë prej liderëve botërorë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre në përballimin e kësaj situate

IMG_0557