A do të merret

 

☆ Fasha orare e lëvizjes, tregëtimit dhe shërbimeve duhet hequr, sepse thjesht sa dëmton:
● njerëzit psikologjikisht dhe iu ul imunitetin
● ekonominë duke pamundësuar tregëtinë e ditës që është baza e konsumit.
● shpërndan më shumë virusin, sepse krijon grumbullime njerëzish nëpër njësi shërbimi si supermarkete, banka etj..

☆ Shpërndarja e virusit nuk varet nga sasia e orëve që kalojmë në shtëpi, por nga mënyra sesi sillemi orët që jemi jashtë. Sot kemi pak raste, sepse kur kemi dalë jashtë, kemi zbatuar rregullin e distancimit social, nuk jemi takuar, puthur, përqafuar, kemi zbatuar rregullat e higjenës. Kështu që ndalimi i lëvizjes për disa orë është pa vlerë nga pikpamja sanitare dhe vetëm dëmton sa më lart.

☆ Të shpëtosh nga kriza epidemike duke kaluar në recesion ekonominë, është si ai që për të shpëtuar nga zjarri hidhet nga ballkoni. What’s the point?

☆ Kriza ekonomike në aspektin shëndetësor, vret njëlloj si një krizë epidemike. Sepse kur ekonomia është në krizë, buxheti është në krizë. Kur buxheti i shtetit është në krizë, ajo që goditet më rëndë dhe më fort është shëndetësia publike, që trajton 90% të popullsisë. S’ka më ilaçe, spitalet degradojnë, njerëzit s’kanë shërbim shëndetësor, njerëzit vdesin dhe nga sëmundjet më të thjeshta, vdekjet rriten eksponencialisht.
Supermacia e një krize ekonomike qëndron në faktin që të njëjtën përmasë “vdekjeprurëse” që shfaq në shëndetësi, e shfaq në gjithë aspektet e tjera të jetës, që nga policia, arsimi deri tek arti-kultura.

☆ Menaxhimi i një krize bëhet nga një komitet specialistësh multi-disiplinarë, jo vetëm mjekë. Sepse, pavarësisht se boshti është epidemia, kriza është shumë-planëshe. Në xhungël nuk të vret vetëm tigri, janë me mijëra kafshë të tjera, të mëdha e të vogla, që kanë zënë rradhën. Një vend që hyn në një krizë, është si një europian që futet në xhungël. Të dy s’dinë nga ta presin më parë.

☆ Zgjidhjet për epideminë dhe ruajtja maksimale e ekonomisë nga dëmtimi, jo detyrimisht duhet të jenë “armiq” të njëri tjetrit. Nëse njerëz të zgjuar dhe specialistë menaxhojnë situatën, mund edhe ta pjekim mishin, pa djegur hellin.

EKONOMIA

☆ Nesër mbushim një muaj nga fillimi i masave karantinore. Aktualisht buxheti i shtetit ka humbur rreth 300 milionë USD (duke llogaritur dhe paketën e ndihmës) brenda një muaji.

☆ Ekonomia është fikur, ose maksimalisht ngadalësuar në 70% të aktivitetit. Deri më sot rreth 800 milionë Euro ekonomi janë “shuar” për një muaj.

☆ Paketa e ndihmës që u dha, nuk ishte paketë ekonomike, ishte paketë sociale. Pra nuk u ndihmua biznesi që të mbijetojë, thjesht u paguan një pjesë e pagës për njerëzit.

☆ Parashikoj që nga shuma 55 milionë Euro që ka premtuar qeveria në paketë, as gjysma nuk ka për t’u shpërndarë. Pjesës më të madhe do t’iu refuzohet ndihma duke gjetur justifikime të ndryshme, por që do të ndodhë sepse qeveria s’ka lekë.

☆ Gjithë mjekëve që iu është premtuar një shpërblim me 1.000 Euro, a 500 Euro, mos ta marrin shumë seriozisht, se t’i kishte seriozisht gjithë premtimet Rama, do ishim në të tjera lecka tani. Prandaj këshilla ime është, mos t’i quajnë si të marra ato lekë. Le të presin dhe të luten..

☆ Serbia dha 5.1 miliardë Euro paketë ndihme ekpnomike për biznesin, për të mbajtur hapur vendet e punës. Ne dhamë zero Euro.

☆ Ndihma sociale e akorduar nga qeveria është diskriminim i hapur. Qeveria akordoi ndihmë vetëm për punonjësit e biznesit të vogël.
S’e kuptoj pse ndihma e dedikuar shkon vetëm për punonjësit e biznesit të vogël, ndërsa për ata të biznesit të madh i lihet në gjykimin e pronarit? Ku ndryshon një punëtor që punon 10-12 orë për të ushqyer fëmijët në një biznes të vogël, nga një punëtor që punon 10-12 orë për të ushqyer fëmijët në një biznes të madh?

☆ Çdo paketë sociale me “paga lufte” është pesë me hiç, nëse nuk ndihmohet biznesi të mbijetojë që të mbahen vendet e punës. Nëse sot do të hajë pagën e luftës, çfarë do hajë muajin tjetër? Po muajin pasardhës?

☆ Turizmi dhe transporti kanë nevojë jetike për një paketë ndihme financiare urgjent. Kriza ata do t’i prekë më shumë nga të gjithë sektorët, prandaj duhet ndërhyrë patjetër financiarisht. Janë 100 mijë të punësuar aty që mund të katandisen në 12 mijë sa hap e mbyll sytë.

☆ Teorikisht, Shqipëria sot do t’i kishte të gjitha mundësitë që të caktonte një paketë ndihme 2 miliardë Euro, ku çdo biznesi të prekur, t’i paguaheshin kostot e një muaji, duke përfshirë pagat, dritat, taksat, shpenzimet fikse, me qëllim mbijetesën dhe mbajtjen hapur të vendeve të punës. Por praktikisht nuk i ka, sepse vjedhja e parave publike këtu është bërë në përmasa kolosale. Këtu buxheti është i mbaruar, borxhi është i ezauruar, rezerva s’ka.. Dmth e kanë mbaruar të gjithin, s’kanë lënë asgjë mënjanë as për një ditë të zezë..

☆ Përmasat e dëmit ekonomik që ka shkaktuar kjo krizë, do të mund të shihen diku në Shtator. Atëhere do të kemi një ide të qartë sesa vende pune janë humbur përfundimisht.
Sot kemi rreth 350 mijë vende pune të mbyllura, por nuk e dimë sesa prej tyre do të rihapen dhe sa nuk do të rihapen më. Në Shtator do ta kuptojmë.

☆ Nëse do të hyjmë në recesion apo do të jetë thjesht një rënie ekonomike, kjo varet nga kohëzgjatja e masave. Personalisht gjykoj nga indikatorët deduktivë që nëse ekonomia humbet 10% të saj, recesioni është probabilisht i sigurtë. Pra nëse ne e zgjasim gjëndjen aktuale edhe këtë muaj, atëherë Shqipëria nuk do të ketë thjesht rënie ekonomike, por do të kalojë në recesion.
Nëse e hapim në kohë, do të kemi thjesht rënie ekonomike, por jo recesion.

☆ Ai vendimi i shtyrjes së pagesës së qerave nuk shkel kushtetutën vetëm. Ai shkel çdo gërmë të frazës “Shtet ligjor” nga dy herë, vajtje ardhje.

TË TJERA

☆ Rama duket që ka shumë frikë për veten nga Covid. Ato insinuimet me situata taktike lufte, jo po na sulmon armiku, jo po mbrohemi nga krahët që tregon në komunikimet në video, janë paranoja që i sheh natën, sikur po e sulmon korona atë personalisht. Ka shumë frikë për veten.

☆ Ajo që po ndodh me shqiptarët në kufi do të hajë koka politikanësh. Ajo nuk harrohet! Të trajtosh shqiptarët si kafshë në vendin e tyre, është e rëndë.

☆ Kjo ushtria në rrugë për mua është qesharake. E di që tek shumë prej jush shkakton stres, po mua më shkakton të qeshura.
Ça i shkon në mendje një herë? Ça…? Ça do bëjë me ushtrinë? Idiot qesharak..