Nga Mentor Kikia/ Spiunimi si ves dhe denoncimi si detyrë

Në kohën e komunizmit, njerëzit u edukuan të rriten vigjilentë. Pra, të denonconin çdo gjë e çdo kënd që kërcënonte partinë dhe atdheun.

Rritja me këtë frymë, prodhoi njeriun e modifikuar, jo gjenetikisht, por politikisht, duke krijuar një prototip gjallese të çuditshme, ku të gjithë spiunonin të gjithë.

Të gjithë qëndronin në radhë për bukë e djathë, dhe të gjithë ishin gati ta spiunonin njër-tjetrin, nëse dikush do të thoshte se këtu nuk ka bukë. Pas zhdukjes së disidencës së vërtetë politike deri në vitet ‘50, burgjet më pas u mbushën pikërisht me njerëz që denonconin njëri-tjetrin, edhe për një fjalë goje.

Ky mentalitet me duket se vazhdon edhe sot. Një i njohuri im ndërroi çatinë e një shtese të vjetër pas shtëpisë dhe kishte marrë leje në Njësinë Administrative për këtë. Deri në mbrëmje, i shkuan për tia parë atë lejen nja 5 patrulla të ndryshme policie.

-Prapë? Po tërë ditën me kasollen time do merreni ju – tha më në fund i xhindosur ai.
-Skemi ç’bëjmë zotëri, telefonojnë qytetarët dhe denoncojmë.

Denoncimi, si një formë e bashkëpunimit të qytetarit me shtetin është një detyrim për ta ndihmuar shtetin. Por “ky bashkëpunim” kaq i zellshëm, në kësi rastesh, më duket se më shumë anon nga ai vesi i spiunimit të dikurshëm.Pasi, denoncimi si vetëdije qytetare per bashkëpunim me shtetin, ta kërkon të jesh i gatshëm te denoncosh edhe kur shikon një vjedhës tek dera e fqinjit. Por, në kësi raste në themi: Futu brenda, ç’të duhet të gjesh belanë.