Nano, modeli se si një udhëheqës nuk duhet të jetë!
Ashtu siç pritej, Fatos Nano në një intervistë që dha në Opinion, tërhoqi vëmendje. Sepse ai kishte kohë që nuk kishte folur, por dhe sepse ne shqiptarët vdesim të dëgjojmë ata që i kanë zhvatur.
Fatos Nano bën pjesë tek ata politikanë që i ka provuar të gjitha. Kur Rama (i) mori drejtimin e PS-së, ai tentoi të bënte një “puç politik”, por e la në mes pasi shkonte në takim dy orë me vonesë dhe nuk e ndoni kush më. Ai është një politikan shumë i zoti, por një dembel shembullor.
Unë mendoj se Nano i përket historisë tashmë, ndërsa ai vetë thotë që jo.
Nano ëndërron të bëhet president. Eshtë stacioni i fundit si politikan. Dhe për këtë i duhet Rama, ndaj ai nuk i kurseu lëvdatat ndaj qeverisë socialiste dhe Ramës vetë. Padyshim, ata që mendonin se do të shikonin një Nano opozitar, që meqë e kishte akuzuar dikur Ramën për thonjtë e paprerë, kanë ëndërruar kot.
Fatos Nano është i rëndësishëm për muzeun e PS-së. Ai është politikani më liberal që e ka drejtuar atë parti. Është kryeministri që qeverisi mbi sistem dhe nuk e mblodhi pushtetin rreth vetes. Por ai është edhe kryeministri që e shndërroi korrupsionin në institucion. Nano ishte ai që “detyroi” shqiptarët që të bëjnë gjënë më të paprecedentë; të rikthejnë me votë Sali Berishën, për largimin e të cilit i kishin vënë flakën tërë vendit. Nano hodhi themelët e praktikave dhe sistemeve korruptive që u betonuan nga pasardhësit e tij.
Ai është gjithashtu i pari zyrtar që bëri fillimisht burgun dhe pastaj krimin.
Për këto, ai nuk mund të jetë një president!
Për këto, ai nuk mund të jetë modeli për politikanët e rinj!
Për këto, ai nuk duhet të jetë më referim!