Mrekullia e Tares tek Lacio: Ja sa është rritur vlera e ekipit

Lacio e këtij sezoni është një nga gjërat më të bukura të këtij të Serie A. Ata janë në kreun e tabelës dhe po rivalizojnë denjësisht për fitimin e Serie A me Juventusin dhe Interin.

Një skuadër e ndërtuar me buxhete të pakrahasueshme me dy gjigantët italianë. Përtej kësaj, ata që më parë erdhën për shuma modeste parash, tani janë shndërruar në yje dhe i afrohen kundërshtarëve të tyre në krye të tabelës.

Mediet italiane kanë bërë një bilanc të thjeshtë mbi shumën e paguar për të ndërtuar ekipin e Lacios dhe vlerën aktuale në treg të të gjithë lojtarëve. Për të ndërtuar këtë Lacio janë harxhuar 120 milionë euro dhe ky ekip tashmë kushton plot 500 milionë. Një nga zbulimet më të mëdha të Lacios është Saviç, i cili është blerë për 15 milionë euro dhe tashmë kushton 100 milionë.

Një tjetër zbulim është Korrea, i marrë 19 milionë euro nga Sevija dhe ekipet që e duan duhet të paguajnë 70. Luis Felipë ka ndryshuar vlerën e tij nga 800 mijë euro në 20 milionë, për të mos harruar Strakoshën, i cili ka ardhur falas dhe vlera në merkato është 30 milionë.

Nuk duhet të lëmë pa theksuar se ndikimin më të madh në këtë rritje të klubit kryeqytetas e ka Igli Tare.

Të gjithë këta emra janë pikasur nga ai dhe bashkëpunëtorët e tij, fakt që e bën ish-sulmuesin e kombëtares sonë një nga drejtorët sportivë më të mirë të Serie A dhe jo vetëm.