Meta do të presë sot në takim shoqërinë civilë

Kreu i shtetit Ilir Meta, do të takohet sot në orën 17:30 më përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të angazhuara me monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Mes tyre do të jenë edhe përfaqësues të Fondacionit Shoqëria e Hapur SOROS.

Presidenti Meta është duke zhvilluar ditët e fundit një seri takimesh me opozitën dhe ish-funksionarë të lartë të shtetit, me qëllim dhënien fund të krizës politike në të cilën ndodhet vendi prej afro një viti.

Në kuadër të këtyre takimeve, Meta do të presë në një takim në orën 12:00 të mesditës së sotme dhe ish-kryeministrin dhe presidentin Sali Berisha.

Po ashtu në zyrën e Metës gjatë ditës së sotme do të shkojnë dhe Alfred Moisiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani, ndërsa dje pati një bisedë të gjatë mes kreut të shtetit dhe ish-presidentit Rexhep Mejdani.

Në takimin që pati dje me përfaqësuesit e opozitës, Meta përshëndeti kërkesën e tyre për zgjedhje të parakohshme, ndërsa një prej temave të diskutimit ishte dhe ajo mbi Reformën në Drejtësi, dhe ngërçin në Gjykatën Kushtetuese.