Meta ashpeson tonet/ Vaksinimi selektiv është tipike e diktatorëve

Presidenti Ilir Meta foli ashpër për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke thënë se duhet një plan i qartë dhe i sigurt për furnizimin e popullsisë me vaksina anti-Covid.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Kreu i Shtetit tha se vendi rrezikon një atastrofë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, pasi sipas tij, nga qeveria ka vetëm plane konfuze, të ndryshueshme dhe jo transparente për vaksinimin.

“Ka disa shqetësime që jam përpjekur t’i ndaj vazhdimisht me qeverinë, që kur jemi ndeshur me pandeminë. Së pari, pa një plan të qartë dhe të sigurt të furnizimit me vaksina, vendi rrezikon një katastrofë për jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Planet konfuze, të ndryshueshme, jo transparente për vaksinimin, njëkohësisht nuk mund të jenë alibi për të braktisur me mijëra qytetarë të infektuar dhe dhjetëra që për fat të keq po humbin jetën cdo ditë. Vetëm kriteret shkencore të gjendjes shëndetësore dhe të moshës, të vendosura ndërkombëtarisht, janë ato që duhet të vendosin përparësitë në vaksinimin e popullatës.

Kriteret e ndarjes dhe përzgjedhjes selektive, janë tipike për diktaturat dhe diktatorët. Nuk mund të lihen më qendrat spitalore dhe shërbimet pa pajisje, si respiratorë, ventilatorë dhe barnat e domosdoshme për të luftuar këtë pandemi. Nuk mund të lihen me mijëra mjekë pa pajisje mbrojtëse. Nuk mund të lihen qytetarët nën panikun për t’u përballur me pandeminë. Nuk mund të lihen të sëmurët në mëshirë të fatit, që trajtohen në banesë, që nuk iu rimbursohet asgjë. Pa dyshim që është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit, në mbështetje të sektorit të shëndetësisë.

Është për të ardhur keq që u bë gati një vit që janë injoruar të gjitha kërkesat e Presidentit. Cdo gjë është përpjekur të politizohet me improvizime. Disa standarde mund t’i kishim. Padyshim që mbështetja më e madhe duhet të kishte shkuar, përvec shëndetësisë, për bizneset, dhe jo për koncesionet. Nuk kishte asnjë arsye të dyfishoheshin pagesat e koncesioneve, sepse tunelet imagjinare presin, ndërkohë që shëndeti nuk pret, sepse në 14 ditë ose shpëton një qytetar, ose e pëson. Jeta nuk kthehet më. Një rrugë edhe bëhet prapë, një tunel edhe bëhet, por një jetë nuk kthehet më”, tha Meta.