Pasi u bë futbollisti i parë në histori që e fiton për herë të gjashtë gjatë karrierës “Topin e Artë”, Lionel Messi shkëlqeu në fitoren 5-2 të Barcelonës kundër Mallorcas.

Barcelona arriti ta rimarrë kreun e La Ligës, në ndeshjen që u zhvillua të shtunën në mbrëmje në “Camp Nou” e vlefshme për javën e 15-të.

Ndeshja filloi me spektakël, pasi në minutën e 7’, portieri Marc-Andre ter Stegeni e asistoi golin e Antoine Griezmannit, i cili zhbllokoi rezultatin e ndeshjes.

Në minutën e 17-të dhe në minutën e 41-të, Lionel Messi  i shënoi dy gola të bukur, ndërsa në mes të tyre Mallorca tentoi të kthehet në ndeshje përmes golit të shënuar nga Ante Budimir.

Para se të mbyllej pjesa e parë, Luis Suarez i mahniti tifozët në Camp Nou me golin e tij me thembër.

Në pjesën e dytë, Budimir e shënoi sërish një gol për Mallorcan, por vëmendjen e mori Messi, i cili në minutën e 83-të e kompletoi tripletën e tij personale.

Pas kësaj fitore, Barcelona kryeson La Ligan me 34 pikë të grumbulluara, po aq sa Real Madridi.