Mentor Kikia / Jam pro protestës
Jam pro protestës, kundër dhunës, nga të dyja palët!
Meqë në këtë faqe unë kam një numër modest lexuesish e miqsh, me të cilët komunikoj, diskutoj e debatoj shpesh, gjej rastin të sqaroj disa këndvështrime, lidhur me disa qëndrime të miat, që në fakt më shumë kanë qenë ftesa për diskutim, në këtë kohë që kanë nevojë për të folur e ndarë mendime.
1- Unë jam pro protestave, kam qenë pro edhe kur ishte Nano në qeveri, edhe kur ishte Berisha, Meta, edhe kur erdhi Rama. Dhe do të jem, kushdo të jetë në qeveri. Sepse unë mendoj, e do të mendoj deri në fund, se protesta është limfa e demokracisë, edhe sistemi nervor i një shoqërie. Sepse mendoj se protesta është institucion. Sepse jam i bindur se komunizmi në Shqipëri ishte më i egri, jo se Enver Hoxha kishte shpikur ndonjë formulë magjike, por sepse ne ishim populli më dele i Europës. Dhe unë vazhdoj të mendoj se reagimet qytetare e shëndoshin demokracinë dhe shoqërinë.
2- Unë mendoj se këto protesta opozita po i shfrytëzon dhe nxit. Pa asnjë dyshim. Por nuk mendoj se ata që protestojnë marrin pagë, pasi sado ta paguash një njeri, ai nuk i del policit përpara që i bie me shkop gome, apo makinës që i hedh ujë në gjoks, për shkak të pagës. Sikundër mendoj se ata që protestojnë nuk e kanë personalisht me Ardi Veliun, por me sistemin, me këtë realitet që kanë prodhuar të gjitha partitë bashkë në këto 30 vjet.
3- Unë jam kundër dhunës, pa asnjë dyshim. Jam kundër dhunës edhe kur protestuesit shkatërrojnë semaforët, stolat apo koshat e plehrave. Edhe pse mendoj se ky nuk është fundi i qytetërimit. Por jam kundër dhunës edhe kur policia u hedh gazin lotsjellës, ende pa ngritur dorë asnjë protestues. Sikundër jam kundër dhunës edhe kur proteuesit për teatrin u rrahën pa thyer asnjë xham.
4- Unë jam kundër ndarjes së shoqërisë ne pro protestave e kundër protestave. Sepse unë mendoj se më shumë se me protestën, ne duhet të merremi me shkaqet e saj. Me dasitë e mëdha sociale e shoqërore. Në vend që të mjaftohem ti quaj “halabakë periferikë”, jam i prirur të mendoj se ata janë pjesë e kësj shoqërie dhe njësoj viktima të keqeverisjes, si ata “kokëpalarët” e 21 Janarit.
Ata që nuk janë dakord me mua, i ftoj ta lexojnë edhe njëherë para se të marrin penët e shajnë.