MEGA-ABUZIM: Albcontrol jep tender me shifër stratosferike vetëm për trajnim

Shumë institucione shtetërore tentojnë të bëjnë “kosh” me tenderat që japin për shërbimet apo punimet që ata do të kryejnë. Rasti më i fundit është ai i Albcontrol i cili e mbylli vitin 2019 duke dhënë një tender 410 milionë lekë për shërbimin mjekësor i cili u fitua nga Spitali Amerikan.

Por çudia më e madhe nuk është kjo, pasi Albcontrol e ka nisur vitin 2020, duke shpallur 4 tendera që kapin shifrat e një super “Jackpoti”, plot 1.1 miliard lekë.

Tenderi me shifrën më të madhe është me objekt “Trajnim Refresh i emergjencave ATCO” dhe që ka një shifër stratosferike prej 660 milionë lekësh. Ky tender është bërë publik me 31 janar dhe fituesi i tij do të shpallet me 24 shkurt. Mbetet për t’u parë së kush do jetë fituesi i këtij “Jackpoti”.

Tenderi i dytë i cili gjithashtu është bërë publik më 31 janar, kap shifrën e 360 milionë lekëve dhe ka si objekt “Kontrate mirëmbajtje dhe blerje pjesë ndërrimi për sistemet KWM të instaluara – ADDER”, dhe sikur i pari fituesi i tij do të shpallet në të njëjtën datë me të parin.
Ndërsa në dy tenderat e tjerë mesa duket, Albcontrol e ka mbajtur dorën, pasi të dy bashkë kapin shifrën e 68 milionë lekëve. I treti ka si objekt “Kontratë konsulence për hartimin e kostos me Eurocontrol” dhe fondi limit është 39 milionë lekë. Ky tender është shpallur me 29 janar dhe fituesi do të shpallet me 17 shkurt.

Ndërsa tenderi i fundit ka një fond prej 29 milionë lekësh dhe ka si objekt “Shpenzime sigurimi për automjete”, i cili po ashtu është shpallur më 29 janar dhe fituesi do të shpallet me 17 shkurt. Por data më e rëndësishme do jetë 24 shkurti, kur do të shpallën edhe fituesit e dy tenderave. Mbetet për t’u parë se kush do të jenë fatlumët e këtyre tenderave.