Mançester Junajtid i është dashur të presë thuajse një dekadë, por në fund ia ka dalë përsëri të kthehet në kreun e renditjes së kampionatit. “Djajtë e kuq” kanë triumfuar sot 1-0 ndaj Bërnlit dhe e shohin vetën të vetëm në renditjen e kampionatit.

Kjo gjë nuk ndodhte që nga sezoni 2012-2013, i fundit i titullit kampion nën drejtimin e Aleks Ferguson, pasi skuadra nuk kishte qenë asnjëherë gjatë këtyre viteve në kryesim kur ishin luajtur të paktën 17 ndeshje. Sfidën e vendosi një gol i Pol Pogba në pjesën e dytë, kur mesfushori francez me një predhë dërgoi sferën në rrjetë. Kjo fitore shkëput Mançester Junajtid në kuotën e 36 pikëve në vendin e parë, 3 më shumë se Liverpuli ndjekës me të cilin do të ndeshet këtë të diel në një përballje që garanton spektakël.

Ndërkohë, në vendin e katërt është ngjitur përsëri Evertoni, që ka mundur me shifrat 2-1 Ullvërhempton, duke u konfirmuar si një prej ekipeve që do me çdo kusht që të jetë pjesëmarrës në Europë në edicionin e ardhshëm.