Gentian Gaba

Gentian Gaba

Nuk mund të ketë një ilustrim më të përshtatshëm për bilancin negativ të mazhorancës aktuale, sesa sfilata e ‘mesovipave’ me të cilët Veliaj po shëtit në fillim të kësaj fushate të gjatë zgjedhore.

Aktorë, gaztorë, këngëtarë, në vjeshtën e karrierës së tyre, që shfaqen për të mbushur boshllëkun politik, ekonomik dhe moral të Rilindjes, e cila përpiqet të gjejë te fytyrat e tyre tituj lajmesh me të cilat të përcillet pseudo-ngjarja: Takim i Asamblesë së PS-së në Zall Bastar.

Takime që bujarisht transmetohen në mediat kombëtare, sepse siç thoshin romakët, jo gjyshja e kryeministrit, pecunia non olet (paraja nuk mban erë); në të cilat nuk gjendet asnjë dromcë programore, por vetëm sokëllimat e Veliaj kundër kundërshtarëve politikë.

Mesa duket kjo do të jetë edhe detyra e vetme e kreut të Tiranës në këto zgjedhje, ajo e ‘qenit të sulmit’. Një rol që ka ditur ta çojë përherë në oktavën më të lartë. Andaj, me të njëjtin zell dhe paturpësi me të cilën hartonte mesazhet mbi Griseldën e Kavajës, i është turrur me sulme politike kreut të opozitës. Duke marrë mbrapsht dy padi për shpifje nga Selia Blu.

Megjithatë, është e qartë se fermani i ardhur nga Surreli, që po detyron atë të çojë përpara mëditjen me romuze, nuk është e vetmja arsye që po e shtyn të shkëlqejë në poshtërsinë e tij. Duke përfituar nga mundësitë që i ofron kjo fushatë, Veliaj duket më i vendosur për ta përdorur këtë vakancë nga punët e Bashkisë, për të konsoliduar rolin e tij në Partinë Socialiste.

Pra, jo vetëm një tribunë për të farkëtuar imazhin e një politikani kombëtar, por një trampolinë për t’u hedhur drejt një të ardhmeje pa Ramën. Qartazi, Basha është për atë një armik artificial, një objektiv që i është caktuar për këto zgjedhje, ndërsa Rama përbën një armik natyral, si pengues i ambicieve që tashmë Veliaj nuk i fsheh më.

Sigurisht, humbja e zgjedhjeve do t’i pamundësonte fishekzjarret mediatike të deritanishme, duke tharë burimin me të cilin është financuar ngjitja e shpejtë politike, lejet e ndërtimit. Sidoqoftë, 3.5 milionë metra katrorë me të cilat i ka marrë frymën Tiranës, bash me pastrimin e të paktën 1.6 miliardë eurove të ardhura nga burime informale, përbëjnë një rezervuar nga i cili mund të synojë fronin e PS.

Dhe për të arritur këtë, nuk i mjafton përballja me Bashën, por i duhet me patjetër disfata e Ramës. Pasi një mandat i tretë i liderit aktual të PS-së, do t’i kthente ambiciet e Veliaj në një listë dëshirash, tërësisht të varura nga humori i një kryeministri të plotfuqishëm në PS që, në fund të rrugëtimit të tij politik, me shumë gjasa do t’i dorëzohet adaxhios së vjetër ‘pas meje, qameti’.
Në këtë rast, Veliajt nuk do t’i mbetej gjë tjetër për të trashëguar, veçse nofka ‘lavatriçja e pastrimit të parave’, një parti politike e konsumuar nga një keqqeverisje galopante dhe kusuri publik i punëve të pista që ka kryer me dhe për Ramën. Andaj, sikurse edhe ai e di, shtegu për të ardhmen e tij në krye të PS-së kalon nga fitorja e ‘armikut të armikut’ të tij.

Për këtë arsye, daljet e tij të përditshme, nuk janë vetëm zbatimi i një detyre elektorale, por përpjekja e ethshme që, të hënën e 26 prillit, të jetë kandidati kryesor për drejtimin e opozitës. Nuk ëshë sekret fakti që tashmë Veliaj gëzon mbeshtetjen e një fraksioni të madh ‘anti-Rama’ në radhët e socialistëve, midis të cilëve spikasin Xhafaj dhe Majko.

As fakti që tashmë ai ka ndërtuar enturazhin e tij brenda PS-së, të përbërë nga besnikët e MJAFT-it dhe G99-ës, të pasuruar nga lidhjet klienteliste me botën e medias dhe biznesit. Një bashkësi ideale kombinimesh, të cilat ndjekin në mënyrë besnike hapat e hedhura vite më parë nga dorëzani i tij në PS. Madje, aq besnike është ndjekja e manualit, saqe në stilin e njohur të Rilindjes, mund të kuptohet qysh në këto momente, se cili do të jetë kandidati i Veliaj për ministrin ‘hije’ të bujqësisë në opozitën e re Socialiste…