Luçiano Boçi: Dardha e ka bishtin mbrapa

Pas shumë deklaratash kaotike, Ministrja e Arsimit, më në fund ka shprehur vendim e saj, për fatin e vitit shkollor. Kuptohet që më shumë se i saj është i Ramës.

Vendimi është krejtësisht asimetrik dhe nuk përputhet me ecurinë shendetësore në raport me pandeminë dhe as me një plan të supozuar “hapje”, të paraqitur tashmë po nga vetë Rama.

Improvizim i keq i rradhës. Dëshmi e mungesës së strategjisë dhe zgjidhjeve reale. Ndryshe nga Greqia fqinje apo Kosova, kryeministrat e të cilëve kanë harmonizuar rikthimin në shkolla me hapjen ekonomike, në Shqipëri gjithçka pasqyron pasiguri, padituri dhe dhelpëri politike. Kjo ndodh sepse qeveria nuk ka një panoramë të qartë të intensitetit të pandemisë, për shkak të mungesës së testimeve.

Vendimi për të mbyllur dy javë para dhe pa kthim në klasë vitin shkollor të ciklit parauniversitar deri në klasën e 11, transmeton pasigurinë dhe frikën e qeverisë dhe njëherazi mjerimin e arsimit në Shqipëri, me ambjente mizerabël, pa kushte e standarde higjeno-sanitare dhe nën hyqmin e një organizimi të rrënuar.

Vendimi është një pranim de facto i dështimit që i bëri Besa me duart e saj, të vetmes mundësi të transmetimit të dijes, asaj online.

E në mes të këtij kaosi, vendimi për rikthimin tre javor vetëm të maturantëve, krijon akoma më shumë rrëmujë dhe pasiguri.

Ndërkohë që vetë Ministrja u kishte deklaruar maturantëve që mësimet online nuk do konsideroheshin, sot i shton atyre dhe orët që do bëhen në klasë, për të kaluar më pas me shpejtësi skëterre në provimet e maturës.

Arsyetimi për rëndësinë e provimeve nuk duket aq bindës, sepse pesha e tyre është zbehur ndjeshëm nga vendimet e njëpasnjëshme të kësaj qeverisje.
Klasat e shkollat, ku ata do të rikthehen, janë me të njëjtat mungesa higjeno-sanitare dhe me të njëjtat rreziqe si ato të nxënësve të tjerë.
Stresi i maturantëve gjatë kësaj kohe, është shumëfishuar për shkak të mishmashit online të ministrisë e deklaratave të Besës.

E gjithë kjo nuk duhet të kompesohet duke bërë provime sa për sy e faqe, në formën e ballove me maska, vetëm sa për të thënë që u kry.
Një maturë me maska dhe me proces mësimor gjysmak, nuk i shërben askujt dhe e shndërron atë një formalitet krejtësisht pa vlerë.
Vendimi për maturantët nuk mund të jetë i diferencuar.

Në një vend pa testime popullate, me zona të gjelbërta e të kuqe sipas lapsit të vetë Ramës, në një vend ku kryeministri pretendon se po fiton “luftën” dhe vetë ka frikë të bëjë deri një mbledhje me maska, pse u dashka të servirë për maturantët një ballo të rrezikshme me maska?!!

Rikthimi i nxënësve nuk mund të përmblidhet në një utilitet kaq fundor.

Ai duhet të ishtë një proces gjithëpërfshirës, gradual i mirë organizuar, me qëllime mësimore, por dhe me qëllime të forta shëndetësore e sociale”.