Luçiano Boçi: Dështimi më i madh i qeverisë Rama

Urdhëri i Ramës nëpërmjet Besës, për të rikthyer me forcë studentët në auditore, nuk bëhet për hallin e Universiteteve.

Sot, asnjë vend fqinj apo në rajon nuk ka ndërmarrë një iniciativë të tillë, megjithëse ato kryejnë rregullisht me mijëra testime dhe kanë një panoramë të vërtetë të pandemisë.
Ndërsa Rama e urdhëroi me dhunë.

E urdhëroi, ndërkohë që nuk ofron asnjë testim për pedagogët dhe studentët.
E urdhëroi, ndërsa e di mirë që kushtet higjeno-sanitare në konvikte e ambiente universitare. janë mizerabël. E urdhëroi, kur e di mirë që shkelen të gjitha protokollet e sigurisë. E urdhëroi, me ndërgjegje të plotë, kur ende akoma nuk ka miratuar një hapje definitive për udhëtimet ndërqytetëse dhe Tirana është zonë e kuqe. E urdhëroi, duke rrezikur kështu – siç e shprehu me të drejtë akademik Fuga – jetët e studentëve e pedagogëve.


Po pse gjithë ky nxitim dhe kjo harbutëri e Ramës?! E qartë dhe ulëritëse! Rama kërkon të plotësojë më në fund ëndrrën e kontrollit të Universitetit të Tiranës. Kërkon që nën mjegullën e pandemisë të vjedhë e grabisë zgjedhjet në UT. Siç e shfrytëzon këtë mjegull, për tendera sekretë me çmime të katërfishuara. Siç e shfrytëzon për të çuar lekët e njerëzve në xhepat e oligarkëve, ashtu kërkon dhe të bëjë me Universitetet. Për këtë nuk heziton të hedhë në zjarrin e pandemisë mijëra studentë e pedagogë. Po dje në sinkron me vendimin e tij, urdhëroi sejmenët në UT, të hapin një proces zgjedhor fiktiv.


KIZ i mbledhur dje, megjithëse ligjërisht nuk ekziston, ka hapur procesin e zgjedhjeve, kur vetë i ka mbaruar afati që në shkurt. Diabolizmi nuk njeh kufij. Datat e zgjedhjeve të shpallura, u rakorduan me datat e rikthimit të pedagogëve dhe një pjese të studentëve, me qëllim që të konsiderojnë votimin e tyre në emër të gjithëve. Rrezikimi i jetës së studentëve, ka pikërisht këtë qëllim: Të sanksionojë një grabitje politike universitare nga Rama dhe Besa, bashkë me disa servilë të bindur.


Një poshtërsi kjo tamam genocidiste, për ta pasur zili dhe juntat e regjimet më kriminale.
Jo vetëm kaq. E dinë që vendimi i KIZ është i paligjshëm dhe në rast ankimimi në gjykatë, Shahini që ka në xhep vetëm skenarët e Ramës dhe jo strategji për arsimin, mund të komandojë një Rektor të ri. Rama para arrivizmit për pushtet politik, nuk kursen asgjë më.
Dije e arsimim jo e jo, por siç e dëshmojnë faktet jo fjalët, nuk kursen as shëndetin e njerëzve.