Lorik Cana në SHBA me mision për të prekurit nga tërmeti: Mblodhëm 60 mijë $ vetëm natën e parë!

0

Ish- futbollisti dhe kapiteni i kombëtares shqiptare në futboll, Lorik Cana, ndodhet në SHBA me një mision mjaft të veçantë.

Ai e kishte planikuar ndryshe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara, por pas tërmetit në Shqipëri, qëllimi i vizitës së tij ndryshoi.

Loriku po mbledh fonde të nevojshme për të prekurit e tërmetit në Shqiperi.

“Sigurisht ka pasur anulime të mbrëmjeve, por shoqatat kryesore kanë vazhduar të mbledhin njerëzit me të njëjtin simbol dhe amur, jo më në formë gëzimi për të festuar, por në formë mbështjeje. Dhe besoj ka qenë mënyra e duhur”, tha Lorik Cana për “Zërin e Amerikës”.

Ish-kapiteni tregoi gjithashtu se ka mbledhur, diku rreth 50-60 mijë dollarë, vetëm në mbrëmjen e parë.

“Dhe ne i kemi inkurajuar njerëzit që të vazhdojnë dhe të japin donacione në këto ditë dhe në javët në vijim aq sa munden”, tha ai.

Futbollisti Cana u bën thirrje të gjithë grumbulluesve të donacioneve, që të kenë shumë kujdes në menaxhimin e tyre.

Ai nuk beson se do të abuzohet me mjetet e grumbulluara, por preferon që të sigurohet se ato do të përfundojnë në duar të nevojtarëve.