Kush i largoi me stil nga ekrani Nevina Shtyllen dhe Fjoralba Ponarin

Me përfundimin e rubrikës “Beauty” në “E Diell”, Fjoralba Ponari vendosi të shkëputej nga ekrani. Gjatë një bisede me ndjekësit në “Instagram”, moderatorja tregoi se ka vendosur të bëjë një pauzë nga emisioni, por pa dhënë shumë shpjegime.

“Me përfundimin e ‘Beauty’ të dielën e ardhshme, kam vendosur të marr një pauzë. Si, qysh, tek, e zbulojmë në Q&A e ardhshme”, shkroi ajo.

Dje, teksa ishte e ftuar te “Shqipëria Live”, Fjoralba tregoi arsyen e shkëputjes. Ajo tha se ka nevojë të rigjenerojë idetë që të rikthehet fuqishëm.

Me çfarë kemi biseduar me Edi Manushin, më ka thënë ‘do kesh gjithmonë një derë të hapur në ‘E Diell’’ dhe sigurisht me një projekt që unë do ndihem komode. Në këtë moment që po flasim, kam nevojë për një pauzë të rigjeneroj energjitë e mia dhe pse jo të mos kthehem më fuqishëm sesa gjatë këtyre 2 viteve. Këtë sezon nuk e mendoj një rikthim. Rrugëtimi im nuk mund të krahasohet në këtë moment që ne flasim me atë që kam qenë para 2 vitesh, sepse kam qenë totalisht pa eksperiencë. Tani jam rritur dhe kam kuptuar çfarë më qëndron më mirë në lëkurë si moderatore”, u shpreh Ponari.

Por duket se dhe prezantuesja tjetër e “E diell”, Nevina Shtylla është larguar në mënyrë të mistershme nga ekrani. Sipas burimeve pranë vajzave, “zhdukja” në mënyrë të papritur nga “E diell” e saj dhe Fjoralbës, në fakt, është një largim me stil që u është bërë nga drejtuesit. Në fillim, Nevina tha se ishte prekur me Covid-19, por s’vonoi shumë dhe zbuloi një tjetër arsye për shkëputjen nga televizioni.

Moderatorja pas një kohe të gjatë në televizion do të shkëputet për një periudhë të pacaktuar, thanë për gazetën “Panorama Plus” burime pranë saj. Nevina që drejtonte disa nga rubrikat më të rëndësishme emisionin ‘E diell’, së fundmi ka zbuluar se është infektuar me Covid-19 dhe kjo është arsyeja kryesore e shkëputjes, por jo e vetmja.

Nevina shprehet se tashmë shumica e simptomave kanë kaluar, i vetmi shqetësim që ka është humbja e shijes dhe nuhatjes. Por gjatë një komunikimi me ndjekësit në “Instagram”, pyetjeve nëse do të rikthehet në ekran ose jo, moderatorja iu përgjigj duke thënë se ka marrë pushimet, pasi do që t’i dedikojë pak kohë vetes së saj.

Megjithatë, ajo u shpreh se do të rikthehet në ekran shumë shpejt. Madje, pas kësaj periudhe rigjenerimi, Nevina mund të kthehet me ide dhe përgjegjësi të reja.