Presidenti Meta rinis duelin me Kryeministrin Rama/ Le të tmerrohen...

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta janë përfshirë në një debat të ashpër sa politike edhe personal. Por si i komenton kryetarja e LSI-së këto debate. E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Kryemadhi thotë se kryeministrit i kanë shteruar mendimet. Sipas saj, Rama nuk është më i përqendruar tek problematikat, ndaj merret me presidentin.

Ndërsa për Institucionin e Presidentit, Kryemadhi thotë se është në krye të detyrës.

“Shikoj një shterim të mendimit të kryeministrit, shikoj një mungesë qartësie të një kryetari partie që është në fushatë. Nuk shqetësohem unë që jam bashkëshortja se ku ikën Ilir Meta, u shqetësoka Rama. Nuk shikoj një logjikë të një kryetar partie që të shqetësohet për arsimin, për shpopullimin, por shqetësohet si lëviz presidenti, natën apo ditën.

Aq sa unë shoh aktivitetin e presidentit, mendoj që është institucioni i vetëm që kthen ligje që cenojnë shtetin dhe shqiptarët, që do të thotë se institucioni i presidencës është në krye të detyrës.

Marrëdhënia e Metës me Ramën është marrëdhënie që Rama ka qenë shkaktari jo i shpartallimit të kësaj marrëdhënie, por ka qenë nxitësi i çekuilibrimit të institucionit të shtetit shqiptar. Rama duke qenë kontribuuesi kryesor i kësaj shpërbërje institucionale, normal që do të kemi një reagim natyral të presidentit”, tha Kryemadhi.