Kryemadhi kujtohet për intelektualet/ Bashkohuni me ne

Kryetarja e LSI –së, Monika Kryemadhi i bëri thirrje të gjithë të rinjve, grave dhe vajzave që të bashkohen me LSI.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Kryemadhi tha se përfshirja në LSI do të thotë që të marrësh në dorë fatet e tua.

Kryemadhi kishte një thirrje edhe për intelektualët, për të cilët tha se Shqipëria ka nevojë për ata.

“Përfshirja në LSI nuk do të thotë të bëhesh një votues, por do të thotë të marrësh në duar fatet e veta. Kjo është shumë e rëndësishme për të krijuar një frymë të re në qeverisjen e ardhshme.

Ajo që unë kam dashur të ndaj me ju është që gjatë gjithë kësaj kohe unë kam patur takime me të rinj dhe të reja. Angazhimi i të rinjve është i madh. Ajo që më bën përshtypje është dëshira që kanë për të marrë në dorë fatet e veta.

LSI është partia e të rinjve dhe të rejave, por LSI është e të gjithë atyre që duan të kontribuojnë. Dua të theksoj se sot më shumë se kurrë ne kemi nevojë për përfshirjen e të gjithë intelektualëve në Shqipëri. E dimë që janë të mërzitur me politikën, por i vetmi ilaç është përfshirja në politikë për ta detyruar klasën politike që të jetë një politikë e re për shqiptarët”, u shpreh Kryemadhi.